Omari, Singeri, Ljukshinovi, Kempesi… trajnerët e huaj në klubet shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2022 | 20:55

Omari, Singeri, Ljukshinovi, Kempesi… trajnerët e huaj në klubet shqiptare

SPECIALE NGA BESNIK DIZDARI
Një herë kam shkruar se në ndeshjen e parë të sportklub Tiranës për kampionatin e vitit 1932 shfaqet si trajner i saj italiani Vitali. Dhe më mbas errësirë e tanë, pa mundur madje t’i gjejmë emrin e plotë Vitalit, i cili nuk përmendet më kurrë. Ndoshta na duhet të pranojmë se “misteriozi” Vitali është trajneri i parë i huaj në skuadrat e kampionatit të Shqipërisë, në këtë rast madje, kampion me sportklub Tiranën 1932, çka ka një logjikë përderisa në Shqipëri Mbreti Zog kishte marrë specialistë të huaj për organizimin e sporteve dhe të edukimit fizik, e mundet që bie fjala, edhe italianët e famshëm Ratti apo Lissoni të kenë bërë edhe punën e trajnerit. Në të vërtetë do ta kenë bërë. Ajo çka kemi gjetur, se italianët Bruno Ratti dhe Giovanni Zanicchi janë “instruktorët” e Vllaznisë në ndeshjen me Skënderbeun në 1932, tregon se këta të dy mund të kenë qenë trajnerët e skuadrës shkodrane atë vit. E kushedi?!…

Besnik-Dizdari

Megjithatë, të gjitha këto janë ende të pavërtetuara. Historia kërkon vetëm vërtetësi, jo pavërtetësi, që në Shqipërinë tonë nuk ndalin. Dhe jo vetëm në sporte e futboll, por në të gjitha fushat e jetës shqiptare…

Ne do të merremi me të vërtetuarat.

Kështu pra. E në këto ditë të vitit të ri që sapo filloi, mû në këtë 11 janar 2022 mbushen plot 25 vjet që në kampionatin e Shqipërisë duket zyrtarisht në stolin e drejtimit të një skuadre qyteti shqiptar, i pari trajner i huaj i Mbasluftës, që është argjentinasi Mario Kempes – kampion i botës 1978 si futbollist. Mirëpo, siç do ta shohim, edhe ky fakt ka mëdyshjen e vet kapriçoze. Kështu, ngaqë siç kemi hulumtuar e shkruar paksa vitet e fundit, me sa duket, edhe në Mbasluftë, para Mario Kempesit, do të shfaqet një tjetër për të cilin do të mundohemi t’ia vëmë të paktën një vulë sado të zbehtë…

Por, le ta nisim këtë histori që kësisoj po trajtohet për herë të parë.

I pari në tërësi është QEMAL OMAR

E këtu me “tërësi” kuptojmë së bashku edhe Paraluftën, edhe Mbasluftën. Dhe i pari na del të jetë Qemal Omar i Skënderbeut të Korçës në 1933. Ose turko-shqiptari Qemal Omar, siç na pëlqen t’i themi, në një kërkim sadopak edhe të shqiptarësisë së tij.

Dihet, ndërkaq, se në 1933 kampion i Shqipërisë për herë të parë shpallet Skënderbeu i Korçës. Për ndonjë trajner kampion, se cili kishte qenë ai, për tri vite me radhë nuk kishte folur as kryeqyteti me sportklub Tiranën e tij të famshme. Mirëpo, ja që flet Korça. Sot them se shkaku është ngaqë Skënderbeu i Korçës e merr trajnerin nga jashtë, nga Turqia. Është pra, turko-shqiptari Qemal Omar më parë i klubit Istanbulspor të Stambollit, ardhjes të të cilit, sidomos “Gazeta e Korçës” i jep shumë vend. Ajo njofton me tituj të mëdhenj se “zoti Qemal Omari fillon rregullimin e skuadrave foot – balliste të Skënderbeut”. Teksa më tej njoftohet se “Shoqëria Sportive Skënderbeu emëroi si Kapiten të përgjithshëm të Futbollit anëtarin e saj të çquar z. Qemal Omarin duke i lënë një kompetencë të gjërë për rregullimin e skuadrave të saj”.

Siç kam shkruar te libri 1 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – Vitet ‘30″, Qemal Omari kishte ardhur në Shqipëri nga Turqia vetëm para dy muajsh. Thuhej se ishte një shqiptar i Turqisë i cili vinte në Korçë pas një karriere 20-vjeçare në futbollin turk. Lojtar i kombëtares së Turqisë, madje sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Stambollit, gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s, themelues i klubit të futbollit Instanbulspor. E, vetëm pak ditë para se të vinte në Shqipëri, ai kishte gjykuar ndeshjen Fenerbahçe – Gallatasaraj për kampionatin turk. Qemal Omari do t’i hynte një pune të vështirë dhe mbas jo pak peripecive do ta çonte Skënderbeun deri në kampion të Shqipërisë. “Gabimi” i vetëm i tij ishte vendimi i tij i fillimit për të luajtur herë pas here edhe vetë në ndeshjet e Skënderbeut, çka ia ngatërronte punët në marrëdhëniet me skuadrën dhe lojtarët. Edhe me personazhe të këtij kalibri pra, kampionati i Shqipërisë po merrte forcë, dituri, organizim, seriozitet. Ai tashmë përbënte një eveniment vërtet kombëtar.

Qemal Omar

Qemal Omar

Dhe kryeepisodi për ne duket se i përket 17 prillit 1932 i ndeshjes Skënderbeu – SK Tirana ku shfaqet për herë të parë trajneri i korçarëve Qemal Omar, i cili bën gabimin “fatal” se luan edhe vetë!

Fitojnë 2-1 kryeqytetasit, ku shënojnë Stërmasi e Haki Korça për SK Tiranën dhe i zakonshmi Samsuri për Korçën. Të gjithë golat, të realizuar në pjesën e dytë, flasin për baraspeshën e kësaj ndeshjeje dhe nga ana tjetër të lë të kuptosh se këta do të ishin dy pretendentët për titullin. Parashikimi do të dilte i saktë vetëm për SK Tiranën dhe jo për Skënderbeun, i cili i nënshtruar prej “revolucionit” të Qemal Omarit, do të kalonte krizën e tij më të thellë të viteve ‘30.

Ndeshja e tjetër e javës së parë zhvillohet 7 ditë më vonë, më 24 prill 1932. Është Teuta – SK Elbasani. Këtu do të mbërrihet ai që sot e kësaj dite, për 90 vjet të tëra, mbetet rezultati më i thellë i një ndeshjeje për të gjitha kampionatet kombëtare: 16-0 për Teutën!

Në javën e tretë, atë të 8 majit, ndeshjet janë dramatike. Bashkimi Shkodran barazon 0-0 në Korçë dhe Qemal Omari është përsëri në fushën e lojës. Interesantja është se në 11- shin shkodran do të debutonte një mbrojtës i panjohur i quajtur Pjetër Gjoka, i cili do të bëhej një nga aktorët më të mëdhenj të Teatrit Shqiptar. 11-shat e kësaj ndeshjeje janë:

SKËNDERBEU: Marjani, Bimbli, Çani, Dishnica, Stassa, Petra, Karoli, Barçi, Samsuri, Omari, Ypi.
BASHKIMI SHKODRAN: Bushati, Gjoka, Gjeloshi, Gjeka, Kiri, Halili, Staka, Dervishi, L.Shala, P.Koliqi, L.Radoja.

Siç shihet, trajnerin Qemal Omar në këtë skedë e kemi të dokumentuar si qendërsulmues të skuadrës korçare!

Dhe ja, sapo mbërrin muaji maj e më 26 maj 1932 njoftohet se Shqipëria pranohet në FIFA. Si ditë e anëtarësimit duhet pranuar ndoshta 22, 21 apo 20 maji, kur kuptohet që informacioni nuk mbërrinte aq shpejt. Kështu, na del se së bashku me zyrtarizmin e një trajneri të huaj në kampionatin e Shqipërisë, jemi pikërisht edhe në 90-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në FIFA.

Kampionia 1932 është SK Tirana dhe Skënderbeu i Qemal Omarit në shtyp shfaqet përmes këtyre radhëve, që po i quajmë të një lloj gjykimi kritik retorik:

“Keq, vallë, bani Skenderbeu i Korçës, që i përjashtoi disa nga elementat mendjemëdhenj dhe në vend të tyre rekrutoj të rinjë, me bindje e disiplinë? Aspak. Duel i katërti në klasifikim? Punë e madhe! A luejmë vetëm për fitim, a po për sport, që të mundemi me përfitue nga vantazhet që afron ky?…”

E shihni pra, se sa kuptim të gjerë të një shpirti të vërtet olimpik ka pasur në sportin shqiptar qysh në vitet ’30!… Ndërkohë që për fat, sot në 2022, po sundon slogani “Fitore me çdo kusht!”

Kështu, thuajse rrufeshëm, mbas vetëm pak muajve do të mbërrinim te Skënderbeu i Korçës – kampion i Shqipërisë 1933. Vetëm mbas një viti të rënies së tij mbërrin kjo rritje spektakolare. Me protagonist trajnerin e parë të huaj për një skuadër shqiptare në kampionat. Është Qemal Omar. Dhe këtë Korça e kishte pritur prej 4 vjetësh. Kundërshtuese, krenare, befasuese, braktisëse, ajo gjithmonë kishte menduar se i takonte titulli. Shpesh gjykonte se me pa të drejtë ia rrëmbenin atë nga duart.

Trajneri Qemal Omari kishte guxuar në njëfarë mënyre ta shformonte për ta riformuar këtë Skënderbe. Ia kishte arritur. Miço Plluska – një nga më të mëdhenjtë e Skënderbeut, po dhe të SK Tiranës dhe Teutës në këto vite ndonëse nuk luajti me skuadrën korçare në këtë vit të titullit, siç kam shkuar te libri i lartpërmendur, ma ka treguar kështu në një intervistë të posaçme të tij punën e Qemal Omarit:

* Skënderbeu - Kampion i Shqipërisë 1933. Djathtas i veçuar trajneri Qemal Omar. * Trajneri Qemal Omar.

* Skënderbeu – Kampion i Shqipërisë 1933.
Djathtas i veçuar trajneri Qemal Omar.
* Trajneri Qemal Omar.

“Qemal Omari na vuri ne të rinjve në skuadër. Erdhi këtu dhe i pa të vjetrit, na pa edhe ne të rinjve. ‘I marr unë këta’, tha. Na vuri në fushë, xhiro, xhiro rreth fushës, nxori topat, na lodhi. Bëri formacionin dhe i tha kryesisë: ‘Për mua ky është formacioni. Këta dua unë’. Dhe çka bëri? Kur na nxirrte në praktikë, na merrte qysh nga fusha e sportit, na shpinte deri në fshatin Liqejzë duke rendur. Kur ktheheshim dhe vinim në kazerma, na thoshte se kush të mbërrinte i pari. Na nxirrte topin pastaj, tani lozni, thesh. Kështu, sa fillonim të adaptoheshim me praktikën, mbaheshim ne pastaj?”

Këta ishin stërvitjet e para moderne për atë kohë që po hynin në Shqipëri. Qemal Omari duhet të ketë qenë i pari që i futi ato në jetën e skuadrave shqiptare. Skënderbeu qe laboratori dhe praktika e punës së tij. Që solli suksesin e titullit: Korça kampione.

Klani Marjani – portieri legjendë i viteve ‘30, Bimbli e Çani dy mbrojtësit e përgjithmonshëm, Miti, Petra e Fori Stassa (ky i fundit një rekordmen i famshëm i atletikës shqiptare) në mbrojtje e gjysmëmbrojtje; Ypi, Vangjeli, Kulla e Dishnica në mes të të cilëve qëndronte Servet Teufik Agaj – qendërsulmuesi më i mirë i kampionatit, ardhja e të cilit te Skënderbeu rriti tejet forcën sulmuese, të gjithë këta, gjetën në këtë kampionat harmoninë e lojës, efikasitetin e sulmit, larminë taktike – natyrisht në kontekstin e vetë nivelit modest që paraqiste futbolli në Shqipëri. Pa Samsurin – pa dyshim sulmues i papërmbajtshëm i fushave shqiptare – Skënderbeu gjeti tek Agaj zëvendësuesin e denjë dhe 7 golat e tij ma do mëndja se e vënë atë si golashënuesin më të mirë të kampionatit.

Dhe më mirë se ne shkojmë te portretizimi që i bën Skënderbeut, kampion i ri i Shqipërisë, “Gazeta e Korçës” e 14 qershorit 1933, që është mjaft kuptimplotë:

“Erdhja pa pandehur e center-forwardit Servet Teufik (Agaj) u dha një kurajo të madhe dhe i shtyti si dhe disa arësye të tjera, për një bashkëpunim më vëllazëror… Qëndron në krye të klasifikimit, që në krye gjer në fund të kampionatit, dhe asnjë skuadër tjetër nuk mund t’a rezikojë për ta rëzuar. Shkodra e ndjek këmba këmbës, por fati i keq, nuk e le që t’a arrinjë. Herë e ngre me një pikë diferencë dhe herë e rrëzon me dy pika. Dhe fundi në matchin me Durrësin mundet me një rezultat vërtet të shtrënguar 1-0, por që i kushtoj dy pika të vlefshme se me këte mënyrë Korça do t’a merrte kampionatin vetëm nga goalsat… Nuk duhet të harrojmë se njëmbëdhjetëshi i Skënderbeut kishte në gji të tij dy kollona. Këto dy kollona janë: Portjeri Klani Marjani, i çkathët, gjakftohtë dhe kurdoherë gati. Ruajtës besnik i portës së tij. Dhe halfi Fori Stassa, i shpejtë, dredharak dhe kurdoherë i pari në vëndin e rrezikut, të cilit i bën ballë fare bukur. Kurse vija e parë ushqehet bukur prej vijës së dytë. Agaj është rregullonjës, shpirti i vijës së parë si dhe i tërë skuadrës”.

Kështu, Korça kishte ndërprerë vazhdimësinë e triumfeve të përvitshme të Tiranës. Kjo do të ishte ndërprerja e vetme e viteve ‘30 për sportklubin e kryeqytetit. Nderi i takoi Skënderbeut.

Më 25 qershor 1933, në Drenovën piktoreske, është organizuar festimi më origjinal që një kampione shqiptare t’i ketë bërë deri më sot suksesit të saj. Korçarët kishin pëlqyer blerimin e natyrës së tyre të shtrenjtë për të festuar. Dhe për 3 orë me radhë udhëtimi i makinave nuk kishte të reshtur drejt Drenovës. Familje të tëra, të rinj të shumtë mbërrijnë dhe zënë vend në tryezat e shtruara në një kopsht të bukur të Drenovës. Ndërkohë, Vangjel Turtulli, kryetari i shoqërisë “Skënderbeu”, çel drekën e posaçme dhe uron i pari. Dhe orët e gëzimit që vazhdon deri në mbrëmje, kalojnë me “aheng midis një gëzimi të patreguarshmë të të gjithë gjindjes”, siç thotë kronika e kohës. “Më thoni, zoti Dizdari, – më pati thënë Miço Plluska, – cila skuadër ka patur hymn? Korça! E ka bërë Anton Mazrreku: ‘Bijtë e sportit, bijtë e Skënderbeut. Urra përpara! Urra!’ Në çdo qytet ne hynim me këngë. Tregomë një skuadër tjetër që kishte një hymn?”

Kishte marrë fund një histori e madhe që për Skënderbeun do të mbeste himn për gjithë shekullin XX. Lavdia e 1933-shit do të skalitej përjetë. Sigurisht, pa parashikuar askush se në shekullin tjetër, këtë XXI, do të mbërrinim te një Skënderbe europian, plot 6 herë rresht kampion i Shqipërisë (2011- 2016).

Kam vite që kërkoja të gjeja një foto të trajnerit Qemal Omar. Nuk e kisha gjetur. Dhe ja, mbasi u kujtova, shkova te libri – album “Korça sportive në vite” i autorit të respektuar Ilia Ll.Jorgji, një libër i vlerave të mëdha dokumentuese, ku gjej për herë të parë të fotografuar edhe trajnerin Qemal Omar. Në foto është Skënderbeu kampion i vitit 1933. Trajneri Qemal Omar për çudi është larguar paksa nga 11-shi i tij korçar, si për të dashur të na thotë: “Nuk jam unë merita, por janë këta djem…”

Ky ishte trajneri Qemal Omar, i cili deri më sot (e hulumtimet do të vazhdojnë) mbetet zyrtarisht trajneri i parë i huaj për një skuadër qyteti të kampionatit të kombëtar të Shqipërisë. Dhe jemi në 90-vjetorin e kësaj risie që bashkohet me 90-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në FIFA. Po ashtu edhe me 25- vjetorin e debutimit të një kampioni të botës si trajner i një skuadre shqiptare në Mbasluftë: Mario Kempes.

Befasitë dhe risitë e tregimit tonë historik vazhdojnë në numrat e ardhshëm të gazetës…

* RIPRODHIMI I SHKRIMIT ËSHTË I REZERVUAR.
—————
* BIBLIOGRAFIA:
– “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – Vitet ’30″, Libri i parë.
– ILIA LL.JORGJI – “Korça sportive në vite”.
– “Gazeta e Korçës”, 1933.
– Gazeta “Sporti shqiptar”, vitet ‘90.
– Gazeta “Panorama Sport” dhe “Panorama” – vitet 2011-‘16

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"