Numra ‘rekord’, Apolonia tani ka bindur edhe tifozët. Mësoni sa ishin në Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 9:50

Numra ‘rekord’, Apolonia tani ka bindur edhe tifozët. Mësoni sa ishin në Lushnjë

Apolonia arriti të pestën fitore rad hazi në kampionat, që i jep të drejtën e vazhdës së kryesimit në Grupin B. Dhe e ka merituar këtë trepikësh ndaj një kundërshtari të vështirë, Besës, në një ndeshje të luajtur jashtë Fierit. “Strategu” i kësaj Apolonie, Artan Mërgjyshi, ka kërkuar agresivitet në sulm dhe të tijtë ia kanë zbatuar “urdhrin”, duke shënuar gol që në 4 minutat e para. Si për ironi, ka shënuar kavajasi Jeton Krasniqi, i cili ka pasur edhe një tifoz të veçantë në stadium, vëllanë e tij Blerimin, ish-sulmues i Apolonisë që luan për Skënderbeun.besa apolonia

Krasniqi “i madh” ka brohoritur plot entuziazëm golin e vëllait të vogël, duke përjetuar shijen e golave të shumtë që ka shënuar me Apoloninë. Edhe dy golat e tjerë u shënuan që në pjesën e parë nga Zoga dhe Gjata dhe i kanë mjaftuar Apolonisë për një fitore shumë të rëndësishme në një betejë interesante në Grupin B. Javë e mbarë për fierakët, të cilët e kanë rritur në 2 pikë diferencën nga Pogradeci. A mund të kalojnë në eufori “djelmoshat” e Apolonisë? Trajneri ekspert Artan Mërgjyshi e ka si ultimatum-etalon shprehjen: “Kur të jemi të parët pas 24 javësh, le të festojmë!”

STATISTIKAT – Është fakt kjo Apoloni, që pakkush do e kishte besuar në këtë “galopim” pozitiv. Statistikat janë impresionuese kur mendon moshën e skuadrës së parë gjatë këtij viti, as 20 vjeç, më e reja në Kategorinë e Parë. Janë disa shifra pikante të bardhejeshilëve që vlejnë të përmenden. Apolonia ka një bilanc të jashtëzakonshëm fazën e dytë, 6 fitore dhe 1 humbje në 7 javë, me golavarazhin 22-6, 18 pikë të grumbulluara.

Fierakët janë ekipi që ka më shumë pikë në Kategorinë e Parë, 35 pikë, më shumë gola të shënuar, po 35, më shumë fitore, 11 dhe golaverazhin +22. Duke llogaritur edhe dy ndeshjet e Kupës me Luftëtarin, Apolonia ka 7 ndeshje radhazi pa humbje.Apolonia2

TIFOZËT – Ecuria mjaft e mirë e Apolonisë ka bërë që të kthehen ndjeshëm edhe tifozët e saj. Kanë qenë rreth 250 tifozë fierakë, të cilët e kanë përkrahur ekipin e tyre të zemrës në ndeshjen e fundit kundër Besës në stadiumin “Roza Haxhiu”. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, së paku gjatë këtij kampionati, që Apolonia të përkrahej nga kaq tifozë jashtë fushe, por rezultatet pozitive dhe afërsia gjeografike me Lushnjën, shtuar dhe autobusët falas nga klubi, ka sjellë një situatë të tillë shumë motivuese për ekipin.

“Aroma” e Superligës po zbut gradualisht edhe hendekun e kaqkohshëm të krijuar nga braktisja që tifozët i patën bërë skuadrës. Tanimë, sportdashësit e zjarrtë fierakë besojnë më shumë se kurrë në shanset e një Apolonie drejt elitës, ndaj dhe numri i tyre po vjen përherë në rritje gjatë ndeshjeve të fundit.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"