“Nuk zbresim në fushë në 3 qershor pa garancinë e qeverisë”, Idrizi: Futbolli shqiptar do të ndryshojë shumë pas pandemisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 20:33

“Nuk zbresim në fushë në 3 qershor pa garancinë e qeverisë”, Idrizi: Futbolli shqiptar do të ndryshojë shumë pas pandemisë

Flamurtari ka nisur stërvitjen, e megjithatë Sinan Idrizi është i vendosur që të mos e nxjerrë ekipin në fushë pa marrë garanci nga Ministria e Shëndetësisë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, administratori i klubit apelon që lojtarëve t’u bëhet tampon, ndërsa me humor pohon se trajnerin do ta marrin me helikopter në Greqi. Kur kanë mbetur 10 javë nga fundi i këtij sezoni, numri një i kuqezinjve paralajmëron se do të luhet vetëm sa për të humbur kilet. Ai parashikon një revolucion të madh në futbollin shqiptar pas pandemisë, aq sa thotë se rrogat 10-mijeuroshe të harrohen.
Sinan-Idrizi
Flamurtari rinisi stërvitjet. A do të thotë kjo se do të zbrisni në fushë më 3 qershor?
Flamurtari ka nisur stërvitjet, por vetëm kaq. Pa u shprehur Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria, ekipi nuk do të dalë në fushën e lojës më 3 qershor.

Nuk keni ndryshuar qëndrim…?
Është shumë e thjeshtë. Unë po ju pyes juve. Çfarë do të ndodhë me ato që ne nuk marrim dot përsipër? Pra, jemi dakord që ta fillojmë kampionatin si një vendim që kemi marrë të gjitha palët bashkë për hir të futbollit shqiptar, pavarësisht se është një futboll për futboll. Do të kemi një futboll sa për të thënë, sa për të hequr ato kilet e tepërta.

Domethënë edhe në këtë rast ju po dilni kundër rrymës?
Nuk dua të jem kundër rrymës, por në këtë kohë është e vështirë që të luhet ky futboll dhe këtë e thonë specialistët.

Konkretisht cilat janë ato kushte që ju nuk plotësoni dot?
Janë një grumbull kërkesash që ne nuk plotësojmë dot. Unë mendoj se duhet të kryhen tamponë, edhe pse FSHF-ja thotë “jo”. Unë pata një takim për këtë histori. Testi para ndeshjes, përgjithësia gjatë ndeshjes. Unë e përsëris, ka një Kod Penal që thotë që një lojtar gjatë ndeshjes që do të luajë në Vlorë infektohet nga Koronavirusi, përgjegjësia i takon klubit Flamurtari, që do të thotë se jemi ne ata që do të mbajmë përgjegjësi penale për këtë çështje, pasi jemi në gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. Nëse mua nuk ma japin me shkrim që përgjegjësia e një ngjarjeje të tillë që mund të ndodhë, sikur edhe 1% të jetë që i takon një institucioni jashtë klubit Flamurtari, ne nuk zbresim në fushë. Kjo është e qartë. Nëse nuk vjen kjo histori, djemtë do të dalin për stërvitje, por ne nuk zbresim nëse nuk do të mbyllet kjo, pasi është një përgjegjësi penale.

Kujt i druheni, pse kjo frikë?
Këtu ndeshjet i organizoj unë dhe nëse ndodh gjithçka në fushë, ne ndëshkohemi. Duhet të bëhen tamponët, me qëllim që lojtari para se të zbres në fushë, ne ta dimë që ka dalë negativ. OK, po heqim dorë nga historia e tamponëve, por mbetet pjesa e ligjit. Në shtëpi ne do të kemi 6 ndeshje, por ç’do të ndodhë nëse një lojtar sëmuret dhe do të thotë që është kontaminuar në Vlorë?! Ose të anulojnë ligjin penal, ose të na japin ne garanci që ne jemi jashtë këtij ligji.

Jeni shprehur se “shokët e aparatit” ishin me ju në mbledhjen në FSHF, por më pas vendosën që kampionati të fillonte. Pse?
Shumica absolute atë ditë ishte për moszhvillimin e kampionatit, pra ndërprerjen e tij. Mirëpo, vendosëm në mënyrë unanime që për shkak të një imazhi të futbollit shqiptar dhe për emrin në Europë, të mos ishim ne këta që të merrnim këtë lloj flamuri. Ramë dakord që të luajmë si të luajmë. Por, pjesa më e madhe ishte dakord që kampionati të ndërpritej, 80% e pjesëmarrësve. Është qeveria që e ka ndërprerë kampionatin për shkak të Koronavirusit. Nëse këta vendosin që kampionati do të ndërpritet, do të ndërpritet. Nëse këta nuk na garantojnë historinë e ligjit penal, edhe nëse qeveria jep dritën jeshile që të nisë kampionati, ne prapë nuk do të zbresim në fushë. Të dalë dikush e të na thotë.
troisi
Keni folur këto ditë me trajnerin Troisi dhe lojtarët që nuk kanë ardhur ende. Si do të riatdhesohen?
Po ja do t’i çojmë një helikopter trajnerit dhe ta marrim (qesh). Përtej shakasë, lojtarët do të vijnë të gjithë. Unë kam folur me trajnerin Troisi. Porse çfarë do të ndodhë me trajnerin, nuk di ta them. Nuk e di nëse do të shkojë 14 ditë në karantinë, pasi siç dihet që Vlora është e gjelbër. Dy javë në izolim, ç’kuptim ka pastaj… Janë disa nga këta që do të vijnë e duhet të karantinohen. Është një histori me shumë të panjohura. Ne kemi thënë hajde të fillojmë, porse çfarë do të ndodhë me të gjithë këta është një ekuacion pak i vështirë për t’u zgjidhur.

Po mendoni që ta zhvilloni kampionatin edhe pa trajnerin Troisi e ata lojtarë që nuk kanë ardhur ende në Vlorë?
Qëllimi ynë nuk është ky. Qëllimi ynë është që ne deri në fund të japim më të mirën, me gjithë gjendjen që kemi dhe jo të bëhemi palaço. Situata është kjo që nëse ata nuk vijnë dot ligjërisht, atëherë unë nuk zbres në fushë fare. Por kështu janë të gjitha ekipet shqiptare, i kanë lojtarët jashtë. Përjashto zonën e Tiranës, të tjerët i kanë jashtë.

Dita e ndeshjes do të jetë një tjetër histori më vete apo jo…?
Kjo është një histori tjetër. Duhet një autokolonë mjetesh. Duhen dy autobusë dhe dy furgonë, duhen dy kate hotelesh, duhet që të paktën të dezinfektohen hotelet, të bësh këtë dhe atë. Hajde se gjendje lufte po e bëjmë edhe këtë. Por është ajo që unë po e përsëris. Logjistika do të ketë një kosto financiare të jashtëzakonshme për klubet. Ne nuk kemi mundësi ekonomike. Unë nuk dua të kaloj në pesimizëm që është Flamurtari në vend të fundit.

Çfarë doni të thoni me këtë?
“Kambanat” e futbollit shqiptar bien për ata që kanë vesh t’i dëgjojnë. Flas nga ana financiare. Drejt një negativiteti të theksuar. Po flet një klub që është në vend të fundit dhe jemi me probleme të mëdha, por pas kësaj pandemie të jeni të bindur që futbolli do të ketë shumë ndryshime në Shqipëri. Të jeni të sigurt për këtë.

Ndryshim për mirë apo…?
Për mirë nuk e di. Por flas që të paktën nga ana financiare do të ketë problem. Kjo, pasi klubet shqiptare, 80%, përjashto Flamurtarin dhe Partizanin, të gjitha financohen nga entet publike. Të gjithë marrin. Ky burim nuk do të jetë më. Kur ky burim nuk do të jetë më nga bashkitë, ky futboll do të kalojë vlerën reale të tij. Nuk do të kesh më paga të këtij lloji. Nuk është një ekonomi kjo t’u japësh lojtarëve 5 mijë apo 10 mijë euro në muaj. Vetëm ligji i sportit e shpëton futbollin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"