“Nuk kuptoj nga e merr trimërinë që fyen tifozët e Flamurtarit”, reagojnë Idrizi dhe Ferko: Bujar Pregjën e denoncuam se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2024 | 9:56

“Nuk kuptoj nga e merr trimërinë që fyen tifozët e Flamurtarit”, reagojnë Idrizi dhe Ferko: Bujar Pregjën e denoncuam se…

Sinan Idrizi ka shkuar dje në Policinë e Vlorës. Pas denoncimit të drejtorit Alfred Ferko pas ndeshjes me Korabin, edhe administratori bëri të njëjtën gjë. Idrizi u ka kërkuar drejtuesve të policisë të marrin masa, pasi situata mund të dalë jashtë kontrollit. Bujar Pregja, delegat i FSHF-së, akuzohet nga klubi vlonjat për nxitje të dhunës, prishje të rendit publik dhe fyerje të tifozërisë vlonjate.

bujar pregja

Drejtori Alfred Ferko duke biseduar me delegatin Bujar Pregja pas ndeshjes Flamurtari-Korabi

Për “Panorama Sport”, Sinan Idrizi thotë se Pregja provokoi tifozët gjatë ndeshjes, me një fjalor rrugaçërie. “Së pari dua që të sqaroj, se gjithçka ka filluar gjatë ndeshjes. Pregja ka provokuar tifozët. E theksoj, provokimi erdhi gjatë ndeshjes. Tifozët tanë këta janë. Ne nuk jemi as në Vjenë dhe as në Paris. Ata edhe mua më shajnë e ofendojnë kur vjen puna. Por kësaj here ka qenë ky zotëri (Bujar Pregja) që në një moment i kthehet tribunës dhe flet me një fjalor si rrugaç. Ky është një rast flagrant. Tifozët mund të zbresin edhe në fushë, nuk i ndalon dot.

Ata janë të rinj, nuk i mban dot. Por kësaj radhe nuk ka pasur asnjë veprim nga tifozët tanë. Sot (dje) edhe unë isha në polici. Denoncova zotërinë. Ju thashë drejtuesve të policisë, merrni masa se do t’iu dalë situata nga kontrolli. Tifozët i kemi djem të rinj dhe këta i provokojnë. Unë nuk e kuptoj nga e merr këtë trimëri ky që fyen tifozët. Nuk e di nga e marrin këtë ‘yshtje’ këta. Nuk po u them banditë, se të dënojnë me ligj po u the ashtu. Por është shumë e shëmtuar kjo që po bëjnë”, shprehet Idrizi.

DREJTORI – Alfred Ferko ishte i pari që denoncoi në polici delegatin Pregja. Për gazetën drejtori Ferko sqaroi: ”Pregja është kthyer në mënyrë të çuditshme. Tifozët kanë qenë të qetë dhe i falënderoj për mbështetjen që i dhanë ekipit ndaj Korabit. Besoj se është një provokim, pasi nuk kishte asgjë për të reaguar në atë mënyrë ndaj tifozëve tanë. Ju e dini shumë mirë që është një veprim shumë i gabuar, duke pasur parasysh se mund të krijojë trazira të mëdha te publiku dhe që mund të dalin jashtë kontrollit.

Do të shikojmë me kujdes të gjitha kamerat. Një publik i tërë që ishte aq i qetë nuk mund të irritohet nga Zoti Pregja pa bërë asnjë veprim. Jam i bindur se diçka u ka thënë. Si përfaqësues i klubit kam bërë denoncim në polici për delegatin e FSHF-së. Nuk është hera e parë, Pregja s’ka qenë dashamirës i Flamurtarit. Besoj se janë një varg gjërash që kanë ndodhur, duke nisur nga ndeshja me Elbasanin e me radhë. Diçka nuk shkon në futbollin shqiptar.

Nuk janë dashamirës të Flamurtarit, e dimë shumë mirë. Më vjen keq që këto ndodhin kundër Flamurtarit në një moment kyç të kampionatit. Për fat të mirë ne po bëjmë punën tonë dhe rezultatet po na japin të drejtë. Pregja më pyetI: Pse? I thashë, se diçka i keni thënë tifozëve. Asgjë më tepër. Bidonë apo sende nuk janë hedhur. Është e çuditshme që janë shkruar këto në procesverbal nga Pregja. Tifozët kanë qenë të qetë dhe më vjen keq që ndodh kjo”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"