“Nuk kemi nevojë për 11 blerje, baza e skuadrës është”, Hoxhaj: Na thonë “pse luani”, por Flamurtari s’hap rrugë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2020 | 16:20

“Nuk kemi nevojë për 11 blerje, baza e skuadrës është”, Hoxhaj: Na thonë “pse luani”, por Flamurtari s’hap rrugë

Rezultati më i drejtë për ndeshjen Flamurtari-Partizani duhet të ishte barazimi. Kështu mendon sulmuesi Ardit Hoxhaj. Sipas vlonjatit, kuqezinjtë kanë luajtur mirë, por gabuan në disa momente për mungesë të eksperiencës. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Ardit Hoxhaj shprehet se me Luftëtarin fitorja është detyrim.

Hoxhaj66

Sulmuesi u bën apel arbitrave që të mos e shikojnë Flamurtarin si një ekip që dëmton ekipet e tjera dhe të kenë respekt, ndërsa thotë se lojtarët kundërshtarë u thonë “përse luani”. Vlonjati Hoxhaj thotë se Flamurtari nuk do t’i hapë rrugën asnjë ekipi, ndërsa deklaron se do të qëndrojë në Vlorë edhe në Kategorinë e Parë, pasi beson se gjërat do të rregullohen.

Hoxhaj, një ndeshje pozitive për Flamurtarin ajo me Partizanin, por nuk arritët dot tri pikët. Cili do të ishte rezultati më i drejtë i atij takimi?

Patjetër që me Partizanin ishte një ndeshje e mirë nga ana jonë. Kemi luajtur grup dhe të bashkuar, duke zhvilluar kështu një lojë të mirë. Për mënyrën si erdhi loja, mendoj se barazimi do të ishte rezultati i duhur.

Çfarë nuk shkoi që nuk dolët as me një pikë nga ky takim?

Mendoj se pjesën më të madhe të lojës e kemi zhvilluar mirë, por në momente të veçanta edhe për mungesë eksperience kemi gabuar. Nuk kemi pasur edhe shumë alternativa për zëvendësime në pjesën e dytë ku Partizani po sulmonte shumë. Ekipi kishte nevojë për freskime nga krahët, sepse aty po na sulmonin më shumë me krosime dhe krijonin superioritet numerik.

Mendoni se ndeshja me Luftëtarin është e duhura për ta shijuar fitoren?

Ndeshjen me Luftëtarin e kemi detyrim ta fitojmë. Duhet të mobilizohemi të gjithë në këtë takim. Na duhen tri pikët.

Flasim për të ardhmen. Do të qëndroni te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë?

E kam përmendur gjithmonë. Unë besoj në fjalët e presidentit Sinan Idrizi se do të ketë një projekt serioz për të ardhmen dhe gjërat do të ndryshojnë në klub dhe unë do të qëndroj te Flamurtari.

ardit hoxhaj

Çfarë duhet bërë për ngjitjen e shpejtë të ekipit në Superligë?

Për ta ringritur ekipin në Superiore duhet një projekt serioz për të ardhmen. Mendoj se ekipi e ka bazën e lojtarëve. Natyrisht që duhet ndërhyrë në merkato, por me kujdes. Jo të vijnë 11 lojtarë të tjerë, sepse prishet edhe harmonia në grup. Besoj se 3-4 lojtarë me cilësi dhe me eksperiencë do ta ndihmonin ekipin.

Sa mendoni se ju kanë dëmtuar gjyqtarët gjatë këtij sezoni?

Nuk mendoj se arbitrat kanë qenë shkaku që na kanë dëmtuar që tashmë kemi rënë nga Kategoria Superiore, pavarësisht se kanë gabuar shumë ndaj nesh. Kërkoj nga arbitrat të na respektojnë deri në fund dhe të mos na shikojnë si ekip që u prish punë ekipeve të tjera. Pasi, ne paragjykohemi për këtë fakt ku edhe ekipet në fushë na thonë: “Ju përse luani?”

Fundi i kampionatit sjell aleanca. Çfarë premtoni si skuadër kur keni dalë tashmë nga objektivat?

Ne si Flamurtar do të respektojmë kampionatin. Nuk do të jemi pjesë e këtyre aleancave që ndodhin gjithmonë në fundin e kampionatit. Do të respektojmë fanellën e Flamurtarit dhe kampionatin deri në fund. Nuk i hapim rrugë askujt.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"