“Nuk kemi arritur asgjë”, Bylisi “ngujohet” para Teutës, Kapllanaj: Pak rëndësi ka vendi në renditje, duhet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2019 | 16:14

“Nuk kemi arritur asgjë”, Bylisi “ngujohet” para Teutës, Kapllanaj: Pak rëndësi ka vendi në renditje, duhet…

Bylisi ka mbyllur fazën në perfeskion. Dhe zyrtarisht mund të themi se nuk janë më surprizë. Edhe pse fitorja e Partizanit bëri që të dorëzonin kreun, vendi i dytë përligj pritshmëritë e drejtuesve. E megjithatë, në klub duan që të jenë të kujdesshëm. I druhen euforisë dhe për këtë motiv presidenti po u qëndron në “kokë” lojtarëve.

besnik kapllanajj

Në një prononcim të dhënë për mediat, Besnik Kapllanaj mundohet që të mbajë në tonus grupin. “Fitoret janë të gjitha njësoj, tri pikë vlejnë. E kishim vlerësuar mirë këtë ndeshje. Dihet cila është Tirana, vetë si emër ata të motivojnë. Janë 24 herë kampionë të vendit. Stafi dhe lojtarët kishin punuar, bënë një ndeshje të mirë dhe morëm tri pikët. Është vetëm një ndeshje, tani të mendojmë për të radhës”, u shpreh fillimisht numri një i ballshiotëve.

OBJEKTIVAT – Për pozitat që kanë u lejohet që të pretendojnë edhe majat, por presidenti shmang presionin ndaj lojtarëve. “Për ne nuk ka shumë rëndësi në çfarë vendi jemi tani, në vend të parë apo të dytë. Kampionati sapo ka nisur, janë edhe tri faza të tjera. Duhet shumë punë, jemi mirë si ekip. E nisëm fazën në kohën e duhur dhe kjo po jep frytet e veta. Të vazhdojmë kështu, të jemi me këmbë në tokë në vazhdim”, përfundoi Kapllanaj.

Kapllanaj

GRUMBULLIMI – Bylisi nuk njeh pushime. Ekipi ka zbritur në fushën e stërvitjes edhe dje, për të përgatitur ndeshjen me Teutën. Dhe vlerësimi për këtë kundërshtar është i madh, derisa humbjen e vetme e kanë me ta. Turabov ka kryer ekzaminimet dhe mund të jetë një alternativë më shumë në mesfushë.

Bashkë me Guindon apo dhe me Antonin që pritet të rikthehet, sulmi i Bylisit pritet të jetë edhe më solid. Menjëherë pas Tiranës, ekipi është “ngujuar”. Klubi ka vendosur që lojtarët të grumbullohen dhe të jenë të përqendruar te sfida e radhës me durrsakët.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"