“Nuk kanë 18-she stabël, urgjent merkato”, ish-mesfushori i Lushnjës: Shpëtimin e shoh tek…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2022 | 20:45

“Nuk kanë 18-she stabël, urgjent merkato”, ish-mesfushori i Lushnjës: Shpëtimin e shoh tek…

Fundi i 2022-shit e gjen Lushnjën në një situatë shumë të vështirë, teksa rrezikon të bjerë edhe nga Kategoria e Parë. 90 minutat e fundit për këtë vit janë një mundësi për të bërë pak përpara, derisa përballë do të kenë një kundërshtar që gjithashtu rrezikon. Verdhejeshilët do të presin në “Roza Haxhiu” Orikun, që ka dy pikë më shumë se ata. Është shansi jo vetëm për të gjetur kthesën, por edhe parakaluar bregdetarët. Oklejan Baze nuk është fort optimist pas ecurinë së deritanishme, ndaj shpëtimin e sheh te merkatoja.

okeljan BAZE LUSHNJA

Në një prononcim për “Panorama Sport”, është ish-mesfushori që i bën analizën ekipit. Ai e quan detyrim të paktën fitoren këtë të mërkurë. “Kategoria e Parë po rrit nivelin nga edicioni në edicion. Çdo vit reduktohet pjesëmarrja me nga dy skuadra, aq sa gati-gati është transformuar në një Superiore B. Ajo që shqetëson është se Lushnja jo vetëm që nuk po pretendon më prej 2-3 sezonesh, por ka dhe shumë vështirësi të qëndrojë në këtë kategori. Ekipi nuk ka një 18-she stabël, që të bëjë me dhimbje koke trajnerin.

Në çdo ndeshje, barra bie mbi 4-5 futbollistë. Të rinjtë duhet të përkushtohen më shumë. Të ndihet kontributi i tyre në ekip dhe të shpëtohet sezoni, që është edhe më e vështirë nga viti i kaluar. Ndeshja e së mërkurës duhet të fitohet patjetër. Është një sfidë mbijetese dhe duhen me çdo kusht tri pikët. E dyta, që është edhe vendimtare për sezonin, është përforcimi i skuadrës me disa elementë cilësorë që të marrë pikët e parashikuara për fazën e dytë, por edhe të rikuperojë pikët e lëna në fazën e parë. Duhen rregulluar disa gjëra.

Është e habitshme se si Lushnja tani që ka edhe kushte stërvitore, ka një rënie kaq të theksuar rezultatesh dhe në fushën e saj. Shpëtimin e shoh jo vetëm te trepikëshi në ndeshjen e radhës, por edhe te një merkato e studiuar. Me patjetër duhet të ndërhyjnë dhe këtë herë të afrojnë elementë cilësorë dhe produktivë”, deklaroi Baze, që tashmë luan për Troiziniakos, në nivelin e tretë të kampionatit grek.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"