“Nuk kam pasur kontratë me presidentin”, trajneri Lleshanaku: Bashkia dhe donatorët të na mbështesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2020 | 8:54

“Nuk kam pasur kontratë me presidentin”, trajneri Lleshanaku: Bashkia dhe donatorët të na mbështesin

Të flisje disa muaj më parë për qëndrimin e Elbasanit në kategori dukej një çmenduri, por verdheblutë ia dolën të jenë sërish në të Parën. “Arkitekti” i një skuadre në pamje të parë “të mbaruar” ishte trajneri Shkëlqim Lleshanaku, i cili, ashtu modestisht, në një intervistë për “Panorama Sport” thotë se arritja e objektivit është meritë e lojtarëve dhe presidentit Laze.
lleshanaku
Bashkimi, puna dhe ambicia, sipas tij, ishin çelësi i suksesit. Lleshanaku pret një konfirmim për sezonin e ardhshëm, me shpresën se do të krijohet një skuadër pretendente për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Lleshanaku, Elbasani ia doli të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Si ndiheni?
Jam i lumtur, por edhe i lodhur. Ishte eksperienca ime e parë në këtë kategori dhe nuk i harroj emocionet që kisha kur mora detyrën, si dhe ndeshjen time të parë.

E nisët shumë keq sezonin, por më pas u pa një tjetër skuadër. Çfarë ndryshuat?
Po, e nisëm keq. Ishim ekip i sapoformuar, ku 70% e lojtarëve vinin nga ekipe të ndryshme U-19 dhe nuk kishin luajtur kurrë bashkë. Unë gjithashtu isha si ata, i ri në këtë lloj kategorie. Kurrë nuk e kam humbur besimin te vetja dhe puna ime. Kisha bindje absolute se lojtarët do të përmirësoheshin dhe do ta shpëtonim Elbasanin. E kam thënë çdo herë në media se pandemia i bëri t’i kuptojnë aftësitë e tyre, forcën që kanë dhe u forcua ndjenja e kolektivit që është parësore. Më vjen mirë ta them se kurrë këtë vit nuk kemi pasur probleme të brendshme apo me drejtuesit e klubit.
Elbasani-Shenkolli
Cili ishte çelësi i suksesit për këtë sezon?
Bashkimi, puna, ambicia e çdo futbollisti në çdo orë e ditë stërvitjeje. Fakti që përfaqësonim një klub me emër të madh në futbollin shqiptar dhe mbështetja e pakursyer e presidentit Laze gjithashtu ndikuan në këtë sukses.

Ka pasur shumë skepticizëm rreth ecurisë së skuadrës. Çfarë do t’u thoshit atyre tani që e realizuat objektivin?
Asgjë. Doja t’u thosha që kishim nevojë për mbështetjen e tyre, por ia arritëm edhe pa atë. Kudo dhe kurdoherë ka pasur nga këto gjëra dhe do të ketë, por unë shoh gjithmonë përpara.

Kontrata juaj u mbyll me përfundimin e këtij sezoni. Prisni një rikonfirmim për sezonin e ardhshëm?
E vërteta është se me presidentin Laze nuk kam pasur kontratë. Nuk është një firmë mbi një copë letër që të lidh me atë që bën. U mundova t’i shërbej klubit dhe qytetit tim. Nuk ka shuma në para apo pasuri tjetër që të më paguajë kënaqësinë që ndjeva në fund të kampionatit. Dua të theksoj që meritën e madhe për mbijetesën e kanë futbollistët me presidentin Laze, pastaj vij unë. Nëse klubi ka mbetur i kënaqur nga aftësitë e mia dhe ajo që unë kam bërë deri tani, do ta kisha kënaqësi vazhdimin e punës.

Çfarë duhet bërë që sezonin e ardhshëm Elbasani të jetë pretendent për në Superiore?
Mendoj se klubi duhet të mbështetet nga bashkia apo donatorë të tjerë për të arritur rezultate më të mira. Një pjesë e mirë e futbollistëve kanë cilësi, tani kanë dhe eksperiencë për të luajtur me Elbasanin. Duhen 4-5 futbollistë me pak më tepër eksperiencë, në mënyrë që të bëhet një ekip i fortë. Kampionati tjetër do të jetë shumë herë më i ashpër.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"