“Nuk e di sekretin, por nuk e keni parë ende potencialin tim”, xholi i përmbysjeve të Realit: Dua të shënoj edhe në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 9:23

“Nuk e di sekretin, por nuk e keni parë ende potencialin tim”, xholi i përmbysjeve të Realit: Dua të shënoj edhe në finale

Të jesh kampion në turneun më të rëndësishëm europian për klube dhe duke veshur fanellën më të rëndë të një klubi në kontinent, Rodrigo Goesh, mund të bëhet i përjetshëm në historinë e Realit të Madridit sot.

RODRIGO 2

Dhe sulmuesi brazilian është i ndërgjegjshëm për këtë. Në moshën 21-vjeçare ai është gati të luajë finalen e parë të Ligës së Kampioneve, e cila mund t’i sjellë Realit titullin e 14-të.

Një dorë skuadrës së Ançelotit për të mbërritur deri këtu ia ka dhënë edhe ai. Dhe Rodrigo mund të hyjë në histori me statusin e zëvendësuesit perfekt, ashtu siç bëri në përmbysjen e çmendur në gjysmëfinale kundër Sitit (shënoi dy gola në dy minutat e shtesës), por edhe ndaj Çelsit në çerekfinale.

Në një intervistë për “Globoesporte”, talenti thotë se nuk e kemi parë ende potencialin e tij të vërtetë:

“Në gjysmëfinale pata një ndikim të jashtëzakonshëm, duke shënuar dy gola në dy minuta. Dhe sigurisht të gjithë do t’i mbajnë mend, por tani unë shpresoj që të bëj diçka të ngjashme për t’u mbajtur mend edhe në finale.

Dua që të shpallem kampion me Realin. Dhe pastaj do të kujtohem përgjithmonë. Besoj se këtë sezon kam luajtur shumë mirë, por unë e njoh potencialin tim dhe di gjithçka mund të bëj.

E di që nuk kam bërë ende gjysmën e asaj që mund të bëj për të ndihmuar Realin e Madridit, por sigurisht që ky është sezoni im më i mirë”.

Ai pranon se sa e vështirë është të luash në këtë moshë për një klub si Reali:

“Nuk është e lehtë për një 21-vjeçar të jetë në klubin më të madh në botë dhe të jetë protagonist në Champions, por është diçka që unë e kam përgatitur gjithnjë veten.

Jam stërvitur shumë. E dija që koha ime do të vinte. Dhe shpresoj të ketë ardhur këtë sezon. Shpresoj vetëm që të mos ndalet në gjysmëfinale por të jetë kështu edhe në finale”.

Por cili është sekreti i gjakftohtësisë së tij përpara porte?

“Kjo është një pyetje së cilës unë nuk ia di kurrë përgjigjen. Mendoj se jam i ftohtë në çdo ndeshje. Kam të njëjtin përqendrim. Por në Champions ka diçka speciale dhe ajo del.

Unë e ndihmoj gjithnjë skuadrën me gol ose asist. Di që këto mbrëmje janë gjithnjë speciale për mua dhe unë ndihmoj gjithnjë skuadrën.

Dhe për këtë jam shumë i lumtur. E shtuna ideale do të ishte të ngrinim trofeun. Nëse shënoj do të ishte edhe më speciale”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"