“Nuk do dilja nga shtëpia po të kisha një grua si të Figos”. Portugezi “fal” Ronaldon pasi i ngacmoi Helenën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 14:20

“Nuk do dilja nga shtëpia po të kisha një grua si të Figos”. Portugezi “fal” Ronaldon pasi i ngacmoi Helenën

Luis Figo ishte i ftuar së bashku me gruan Helen Svedin në programin “El Hormiguero”. Ish-futbollisti portugez ishte i ftuar për të komentuar një prej anekdotave më të famshme në kohën kur luante te Reali i Madridit me Ronaldon.

jdquis2801e_2x

Qarkullonin zëra se Fenomeni i ishte përgjigjur njëherë presidentit Florentino Perez kur ai i kërkonte që të moderonte daljet e tij natën vonë dhe pushimet, me këto fjalë tekstualisht: “Po ta kisha gruan që ka Figo, do të qëndroja gjithnjë mbyllur në shtëpi”. Figo e komenton këtë histori me humor dhe thotë se e ka “falur” që i ka ngacmuar gruan: “Ronin e njoh dhe e dua shumë. Gjithsesi, unë kur dal, ndodh sepse gruaja ime fle. Helenën e njoha në Barcelonë. Kisha disa miq që kishin një agjenci dhe ajo punonte atje. Herën e parë që e pashë ishte në një restorant, por nuk ndodhi atje që nisëm të frekuentoheshim. Helen është elegante, e zgjuar, e bukur, një nënë shumë e mirë dhe mbi të gjitha është edhe një njeri i mirë”.

e0be661a320f1f04dfa516949487618b

Ylli portugez ka mësuar të flasë suedisht prej saj dhe tregon një prej zakoneve të vendit skandinav: “Më shumë se një herë janë përpjekur të më dehin në Suedi, por unë vij nga jugu dhe në fund jam mësuar”.

KLASIKJA

Barcelona dhe Reali mbeten kategorikisht kundër ndryshimit të stadiumit për klasiken e 26 tetorit në “Bernabeu” dhe Luis Figo ka komentuar edhe lajmin e ditës në futbollin spanjoll, duke thënë se data e ndeshjes nuk do të ndryshojë. Protestat në Barcelonë kanë shkaktuar shqetësim për autoritetet e La Ligës në lidhje me sigurinë e ndeshjes.

Real,Barcelona

“Nuk mendoj se data do të ndryshojë. Dy palët duhet të vendosin për më të mirën. Lojtarët janë profesionistë dhe ata e dinë se duhet të luajnë pavarësisht datës. Nuk mendoj se shtyrja e ndeshjes do të shkaktonte protesta edhe më të mëdha, do të bëhej thjesht si masë sigurie. Por unë mendoj se gjërat në fund do të zhvillohen sipas parashikimeve dhe asgjë nuk do të ndryshojë. Do të ishte turp nëse do të luhej në një situatë të tensionuar, por për atë skenar prandaj është policia, autoritetet sportive dhe qeveria”. Duke qenë se vetë ka qenë pjesë e ndeshjeve të tilla shumë të tensionuara gjatë historisë, portugezi dëshiron të nënvizojë se futbolli nuk është një mjet politik: “Futbolli nuk ka lidhje me politikën. Ai është bërë për të punuar me vlerat e sportit. Politika nuk ka lidhje me futbollistët. Autoritetet e dinë se çfarë duhet bërë. Nëse ka njerëz që kanë në plan të shkaktojnë probleme, atëherë ka pak gjëra për të bërë. Por unë mendoj se po flitet shumë për një situatë hipotetike, e cila nuk ka ndodhur ende”.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"