Notat e Superiores / Blu dhe bardheblu janë më të mirët, pak dyshime mbi pretendentët që janë ngelës këtë javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 22:24

Notat e Superiores / Blu dhe bardheblu janë më të mirët, pak dyshime mbi pretendentët që janë ngelës këtë javë

Kategoria Superiorë ka mbyllur javën e 6 të saj me skuadra që janë konfirmuar në formë të shkëlqyer, por edhe me të tjera të cilat kanë bërë hapa mbrapa në krahasim me pretendimet që kanë për këtë edicion. Në vijim “Panorama Sport” ka renditur skuadrat sipas notave që kanë merituar për paraqitjet e kësaj jave.

abisnet superiore

TIRANA 7.5 – Bardheblutë kanë marrë një fitore me peshë në derbi, që ishte e para për Orges Shehin ndaj Partizanit si trajner i Tiranës. Bardheblutë me meritë komandojnë Superioren dhe në derbi u treguan pragmatistë e cinikë duke marrë një fitore që u jep krahë për pjesën në vazhdim, si dhe duke zhytur rivalin historik në fund të tabelës.

KUKËSI 7.5 – Verilindorët kanë marrë një fitore bindëse ndaj Vllaznisë, e cila vinte në këtë sfidë në momentin e saj më të mirë. Kukësi i trajnerit Longo ka dhuruar një tjetër ndeshje dominuese duke u pozicionuar si një pretendent potencial për dy trofetë e sezonit. Pozitiv është fakti se te Kukësi e njohin portën kundërshtare. Loja e rrjedhshme dhe e logjikshme si dhe grupi janë çelësi i suksesit.

LAÇI 7 – Ndryshimi provizor në pankinë dha direkt ndikim te skuadra kurbinase, ku nën drejtimin e Sero Nokës, Laçi mori fitoren e parë në kampionat në transfertë ndaj Kastriotit. Nga kjo fundjavë kurbinasit vijojnë me trajnerin Mirel Josa, që shpreson të realizojë objektivat.

TEUTA 7 – Skuadra durrsake ka arritur menjëherë të bëjë autokritikën e humbjes, ku në transfertën e Rrogozhinës mori tri pikë. Teuta nuk është se shkëlqeu ndaj Egnatias, por futbolli luhet për pikët e plota, mision të cilin të besuarit e trajnerit Edi Martini e realizuan me sukses, falë golit të kapitenit Kallaku nga pika e penalltisë.

DINAMO 7 – Skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi arriti që ta merrte veten pas humbjes turpëruese në Shkodër. Trepikëshi i Dinamos në Korçë është kontestuar shumë nga Skënderbeu, por dinamovitët i gëzohen fitores dhe tani shpresojnë të krijojnë një ecuri suksesi.

EGNATIA 4.5 – Rrogozhinasit janë mundur në shtëpi nga kampionët në fuqi, por me atë që dhuruan në fushë, të besuarit e trajnerit Gugash Magani meritonin të merrnin diçka më shumë. Egnatia ia faturoi gjykimit humbjen dhe deri diku kanë edhe të drejtë, por penalltia që mori Teuta ishte e saktë.

SKËNDERBEU 4.5 – Në dallim nga humbja me Kastriotin, ku ekipi i Memellit nuk krijoi asnjë gjuajtje në portë, ndaj Dinamos Skënderbeu ishte më kërkues, por mbase në ndalesën e radhës ndikoi edhe gjykimi. Gjithsesi, ky Skënderbe në ujërat e mbijetesës do të notojë këtë sezon, ashtu si vjet ku qëndrimin në Superiore e siguroi në fund.

KASTRIOTI 4.5 – Krutanët nuk arritën që të merrnin suksesin e dytë radhazi, pasi në shtëpi i kanë dhënë mundësi Laçit që të marrë fitoren e parë. Kastrioti është i destinuar që të paktën deri në merkaton e janarit të ketë ecuri me luhatje, për vetë organikën që ka.

PARTIZANI 4 – Për Partizanin e këtij sezoni mund të rrish një natë dimri dhe nuk arrin t’i rreshtosh të gjitha mangësitë që ka. Humbja në derbi është e pranueshme, pasi ndeshje të tilla nuk kanë favoritë, por ajo që nuk bënë sens është zero fitore dhe 4 pikë në 6 javë.

VLLAZNIA 4 – Në javën e 6-të shkodranët treguan se e kanë të vështirë të mbajnë ritmin dominues dhe lojën atraktive. Nëse një javë më parë u fol për spektakël ndaj Dinamos, ndaj Kukësit Vllaznia ishte e fikur në fushë dhe iu dorëzua pa kushte verilindorëve. Euforia dhe mungesa e ekuilibrave mes reparteve mund t’u kushtojnë shkodranëve në vijim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"