Notat e skuadrave/ Luftëtari dhe Partizani tregojnë forcën, Lushnja “vulos” biletën për në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2018 | 22:20

Notat e skuadrave/ Luftëtari dhe Partizani tregojnë forcën, Lushnja “vulos” biletën për në të Parën

Luftëtari 8 – Me një prej sulmeve më të mira në Superiore dhe besimin se mund t’ia dalin përballë çdo kundërshtari, Luftëtari po fiton terren në Superiore, duke u bërë një skuadër, e cila duhet pasur frikë. Gjirokastritët e treguan një gjë të tillë edhe dje, kur arritën të sigurojnë një trepikësh me shumë vlera.

Luftetari

Skënderbeu 7 – Në të paktën tri ndeshjet e fundit, korçarët kanë luajtur jo me maksimumin e mundësive të tyre, por kjo nuk i ka ndalur që të marrin rezultate pozitive. Një gjë të tillë kryesuesit e kampionatit e treguan edhe në transfertën ndaj Kukësit, ku pavarësisht se u gjendën në disavantazhin e dy golave, arritën të barazonin me Souenë, i cili ishte në superformë.

Sk

Teuta 7 – Durrsakët nuk janë dorëzuar për mbijetesën në Superiore dhe në transfertën ndaj Kamzës kanë arritur të tregojnë forcë karakteri, duke arritur të marrin një trepikësh me vlera dhe të rrisin optimizmin brenda grupit. Pas kësaj fitoreje, zona e shpëtimit është vetëm një pikë larg.

Partizani 7 – Të fitosh ndaj Lushnjës në këto momente dhe sidomos në shtëpi, nuk është shumë e vështirë. Por, Partizani arriti t’u shënonte myzeqarëve gjashtë gola, si asnjë skuadër më parë. Trepikëshi kishte shumë vlera për të kuqtë sa i takon renditjes, por edhe anës psikologjike.

Partizani

Laçi 7 – Kur vjen puna te ndeshjet në të cilat duhet me çdo kusht fitorja, kurbinasit dinë t’ia dalin dhe këtë e treguan në shtëpi përballë Vllaznisë. Një gol i diskutuar i Uzunit i jep mundësinë Laçit që të shikojë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, vetëm tri pikë larg.

Kukësi 5 – T’i shënosh dy gola Skënderbeut, nuk është aspak e lehtë, por më e vështirë është që të ruash avantazhin. Kukësi nuk ia doli dot në pjesën e dytë, ku pavarësisht terrenit të rënduar nga reshjet e dëborës, korçarët barazuan shifrat dhe dolën me një pikë nga stadiumi Zeqir Ymeri.

kukesiskenderbeu

Vllaznia 4 – Për shkodranët ishin të gabuar hapat falsë në transfertën ndaj Laçit, por skuadra e Gjokës nuk ia doli që të merrte të paktën një barazim. Sulmuesit nuk rrezikuan sa duhet portën kundërshtare dhe pas kësaj disfate, shkodranët duhet të mendojnë më shumë për mbijetesën.

Flamurtari 4 – Skuadra e Duros nuk ka arritur të dalë në lojën e saj, ndërsa ndaj Luftëtarit rastet për shënim nuk i kanë munguar. Sulmi vazhdon të vuajë dhe skuadra koleksionon një tjetër humbje, e cila kushton shumë në garën për vendin e dytë.

Flamurtari555

Kamza 4 – Kryeqytetasit kanë ndalur vrullin e rezultateve pozitive ,pasi kanë humbur ndaj Teutës në shtëpi. Ekipi i Ndreut nuk shfaqi asgjë nga loja e takimeve të fundit dhe çedoi në të gjitha repartet. Gjithsesi, kamzalinjtë vazhdojnë të mbajnë një pozicion komod në klasifikim.

Lushnja 4 – Që Lushnja të humbasë në këtë sezon futbollistik, nuk është dramë, por që të pësosh gjashtë gola, ky është një problem dhe tregon për një skuadër, e cila nuk është aspak e motivuar. Myzeqarët duket se kanë vulosur shansin e tyre për të qenë pjesë e Kategorisë së Parë sezonin e ardhshëm dhe nga ata pritet që të respektojnë kampionatin deri në fund.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"