“Njëra prej 4 ekipeve që luajtën në Europë fiton titullin”, Cungu: Këtë vit Laçi duhet të synojë më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2020 | 22:57

“Njëra prej 4 ekipeve që luajtën në Europë fiton titullin”, Cungu: Këtë vit Laçi duhet të synojë më shumë

Trajneri i Laçit Armando Cungu beson se njëra prej 4 ekipeve që morën pjesë në kompeticionet europiane do të fitojnë titullin kampion këtë sezon. Në një lidhje direkte me “Sport News Plus” në “News 24”, tekniku shkodran përsëriti se kurbinasit duhet të kërkojnë më tepër nga vetja në këtë edicion nisur nga përforcimet e bëra në merkato.
Cungu Daljana
“Nuk është kampionati lehtë. Vitet e fundit ka patur konkurencë, ka ekipe të mirëorganizuara. Nuk mund të thuash 1-2 ekipe janë të shkëputura nga të tjerët. Janë 4-5 ekipe që janë pranë njëra-tjetrës.

Ndeshjet e para të kupës nuk janë shumë problematike. Rezultati ishte i pastër, ju e thatë vetë. Nuk luajtën lojtarët me gjendjen më të mirë. Iu dhamë mundësi lojtarëve të rinj dhe të ardhur në merkato. Kampionati është shumë i ngjeshur dhe duhet t’i japim mundësi gjithkujt në mënyrë që të jemi të freskët.

Jemi më të fortë se vjet. Kemi më shumë alternativa. I përgjigjet konkurencës dhe garës, kjo është një arsye plus për ekipin tonë duke parë dhe merkaton. Kam të drejtën e ligjshme së bashku me drejtuesit e lojtarët të shohim një Laç më të fortë se sezoni i kaluar.

Titulli objektiv – Vjet bëmë sezon shumë të mirë, e treguam dhe në Europë. Fakti që jemi forcuar, tregon që jemi bërë më të fortë, duhet të tentojmë diçka më tepër. Titulli nuk është i lehtë për ta kërkuar. Do të punojmë dhe të tentojmë. Njëra prej ekipeve që ka qenë në Europë do të jetë fitues i titullit.

Vjet kemi qenë ekip i cunguar. Jam i kënaqur me lojën që kanë bërë djemtë. I kemi merituar rezultatet pozitive. Tani është ndryshe. Lojtarët duhet të kërkojnë më shumë nga vetja. Jemi më të rritur në aspektin e lojës. Të marrim më shumë përgjegjësi.

Jemi më të pjekur në anën profesionale dhe të dimë të kërkojmë nga vetja jonë më shumë. Kemi arsye të kërkojmë diçka më tepër. S’jam shumë dakort që thoni se Laçi fiton vetëm në fushën e saj. Rezultatet na japin të drejtë, kemi dalë mirë dhe në fushat jashtë. Fusha s’ka më peshë, se jemi pa tifozë. Nuk është determinante. Mungesa e tifozëve na prish punë. Sikur dhe 100 tifozë të jenë, karikimi është më i madh.

Bylisi – Normalisht që është ndeshje e vështirë. Kam superlativa për ta. Janë agresivë, luftojnë dhe vrapojnë shumë. Duhet të marrim masat për t’u paraqitur sa më mirë”, deklaroi trajneri i Laçit Armando Cungu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"