Një orë analizë e papritur, te Apolonia ka këshilla dhe kritika për të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2021 | 20:20

Një orë analizë e papritur, te Apolonia ka këshilla dhe kritika për të gjithë

“Samit” tek Apolonia. Stafi teknik ka zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura mesditën e djeshme, e cila ka zgjatur afro 60 minuta.

Apolonia

Ajo ka qenë e befasishme, por ka pasur një qëllim të qartë: mobilizimin e grupit para Besës. Luajnë në transfertë dhe vështirësia dihet, ndaj Juri Kanarsa dhe stafi i tij duan që të marrin situatën nën kontroll. Stërvitja ishte programuar në orën 14:00, mirëpo u shty për një orë më vonë. Italiani ka komunikuar shtruar me lojtarët përpara. Ka kërkuar vazhdimësinë e rezultateve pozitive dhe impenjim maksimal në Luz, fushë ku do të luhet java e 7-të. Është analizuar me kujdes ecuria e Apolonisë në këto javë të para të kampionatit dhe në “lupë” janë vënë gabimet që duhet të riparohen.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se tekniku është marrë edhe me sulmuesit, ndërsa u ka kërkuar më shumë qartësi në zonë dhe të provojnë më shumë drejt portës së kundërshtarit. Po ashtu, kritikave nuk u kanë shpëtuar mesfushorët, duke u kërkuar atyre të mbajnë më shumë topin dhe të kontrollojnë lojën, sidomos kur janë në avantazh. Bardhejeshilët janë ende në ujëra të turbullta, ndaj kërkohet me çdo kusht që të rikuperohen pikët që mungojnë në renditje. Ngjitja është ende “mirazh”, por rëndësi ka vazhdimësia.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"