Një nigerian rrit adrenalinën te Bylisi: Bëj kthesën me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 21:37

Një nigerian rrit adrenalinën te Bylisi: Bëj kthesën me Kukësin

Bylisi pas miqësores me Luftëtarin u është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës në kampionat me Kukësin. 

ntepe bylis

Ballshiotët do të luajnë sot edhe një test tjetër, ku në shtëpi presin Lushnjën, miqësore e cila do të luhet në orën 13:30 në “Adush Muça”. Një nga lojtarët që është duke bërë paraqitje të mirë në Ballsh është nigeriani Ntepe Frank, i cili për “Panorama Sport” ka pohuar: “Ndeshja me Skënderbeun është harruar. Humbëm vetëm një takim dhe nuk kemi humbur betejën. Gara është e gjatë dhe ne kemi forca të reagojmë dhe këtë do ta bëjmë në ndeshjen e radhës ndaj Kukësit. Vërtet humbëm me Skënderbeun, por bëmë lojë, patëm raste dhe treguam dëshirë. Ndonjëherë edhe fati nuk është me më të mirin”.

KTHESA- Nigeriani pohon se Bylisi do ta bëjë autokritikën menjëherë, duke nisur nga ndeshja e radhës me Kukësin. “Unë kam besim dhe duke njohur forcën e lojtarëve dhe të skuadrës, do të bëjmë më të mirën. Në një garë të gjatë duhet të tregosh vazhdimësi. Unë kam besim se ne do të jemi një ekip që do të vazhdojmë të bëjmë lojëra të mira. Të gjithë e dinë sesa ekip i mirë është Kukësi, kështu që ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe përgatitemi si të barabartë dhe të përballemi me ta. Përpos vështirësisë së takimit, Bylisi pret të marrë diçka të mirë ndaj kuksianëve. Ne kemi mundësi që të tregohemi dinjitozë”, vijoi Ntepe.

SITUATA- Në fund, nigeriani flet edhe për gjendjen e skuadrës. “Bylisi është në gjendje të mirë dhe optimiste. Përgatitja për ndeshjen e radhës është në shkallën maksimale. Si gjithmonë them se çdo ekip është i rëndësishëm. Kampionati bëhet më i vështirë tani sepse çdo skuadër dëshiron pikë. Kështu që ne vazhdojmë të punojmë fort dhe të grumbullojmë sa më shumë në pjesën e parë të garës”, tha Ntepe Frank.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"