Një nigerian për sulmin, Elbasani vazhdon me përforcimet në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2021 | 12:39

Një nigerian për sulmin, Elbasani vazhdon me përforcimet në merkato

Elbasani nuk ka në plan që të ndalet në këtë merkato. Një tjetër përforcim vjen për sulmin. Ditën e djeshme ka dalë në stërvitje edhe ish-lojtari i Kastriotit, Dumoje Nifemi Kabiru. Nigeriani ka milituar në disa skuadra të futbollit shqiptar, ndaj nuk i mungon eksperienca dhe përshtatjen nuk do ta ketë aspak problem. Ai mund t’i bëjë jo pak punë skuadrës, edhe pse reparti ofensiv duket “i blinduar”.

nifemi kbiru

Pas aventurës me krutanët tri sezone më parë, ku dha kontributin e tij për ngjitjen në Kategorinë Superiore, 32-vjeçari është aktivizuar në radhët e Erzenit dhe Ilirisë, ndërsa aktualisht është një futbollist i lirë. Me afrimin e tij në radhët e verdhebluve, mund të thuhet se stafi teknik do të jetë i qetë sa i përket sulmit. Aktualisht, Anxhelo Suta ka disa alternativa në dispozicion dhe të paktën do të ketë mundësi zgjedhjeje.

MERKATO

Duke qenë se Elbasanit i duhet praktikisht të mos gabojë në asnjë ndeshje për të arritur mbijetesën, në klub kanë si synim që t’i paraprijnë çdo problemi të mundshëm dhe të kenë një organikë sa më të pasur në skuadër. Kështu, burimet pohojnë se deri në mbylljen e merkatos do të afrohen të tjerë futbollistë, ku do të kërkohet edhe “blindimi” i repartit defensiv. Pavarësisht se edhe në mbrojtje nuk kanë munguar afrimet në këtë merkato dimri, në Elbasan nuk e shohin ende të mbuluar plotësisht, ndaj shpresojnë që deri në fund të sigurojnë shërbimet e ndonjë lojtari tjetër.

SITUATA

Elbasani e ka mbyllur fazën e parë të sezonit pa asnjë pikë të grumbulluar, duke mbajtur vendin e fundit në klasifikim. Kjo është një situatë e përjetuar edhe më parë në këtë klub, teksa vitet e fundit ka vuajtur gjithnjë gjatë fazës së parë. Në fund, ia kanë dalë thuajse gjithnjë që të mbijetojnë, ndaj shpresojnë që edhe këtë sezon të ripërsëritet historia dhe skuadra të vijojë rrugëtimin në këtë kategori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"