Një finale për “Topin e Artë”, Van Dajk sfidon… Ronaldon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2019 | 19:16

Një finale për “Topin e Artë”, Van Dajk sfidon… Ronaldon

Portugalia kundër Holandës është edhe një duel Kristiano Ronaldo kundër Van Dajkut. Finalja e Ligës së Kombeve shërben edhe si një “finale” e vogël edhe për “Topin e Artë”. Ylli portugez ndoshta nuk është favoriti kryesor në garën për çmimin më të madh individual, por sigurisht që do t’i luajë shanset e tij deri në fund duke tentuar të fitojë Ligën e Kombeve.

Ronaldo Van Dajk

Një “armë” që do ta përdorë për të grumbulluar sa më shumë pikë për “Topin e Artë”. Përballë tij është gjiganti Virxhil Van Dajk. Kampion i Europës me Liverpulin, lojtari më i mirë në Angli dhe më i miri i finales së Ligës së Kampionëve.

Ky i fundit nuk e ka si fiksim këtë çmim, por ka thënë se nuk e refuzon. Mendon se duhet ta fitojë Leo Mesi, por ky i fundit ka një betejë në distancë me të dy, pasi do të luajë pak ditë më vonë turneun e Kupës së Amerikës.

Nuk është hera e parë që Van Dajk do të luajë kundër Kristianos, pasi janë përballur edhe në finalen e vjetshme të Champions-it ku Reali i Madridit triumfoi ndaj Liverpulit. Por këtë herë është ndryshe, mbrojtësi holandez ka akoma më shumë eksperiencë dhe vazhdon të ruajë të paprekur rekordin e tij duke mos u dribluar në këtë sezon.

CR7 PREMTON “LUFTË”

Ndaj Zvicrës qëndroi i qetë, dukej sikur nuk ishte në fushë, por priti momentin e duhur për të “kafshuar” dhe për të goditur në shenjë. Dy gola për një minutë, të cilët kualifikuan Portugalinë në finalen e Ligës së Kombeve.

Sfida e nesërme do të luhet në “Estadio Do Dragao” dhe kapiteni i Portugalisë pret mbështetje maksimale nga tifozët. “Shpresoj që stadiumi të jetë plot dhe tifozët të na mbështesin nga fillimi deri në fund. Dua shumë që Portugalia ta fitojë këtë trofe”, thotë Ronaldo. Ylli portugez premton “luftë” për kundërshtarin.

“Ndaj Zvicrës ishte një ndeshje shumë e vështirë sepse ata janë ekip i shkëlqyer. Luajtën mirë dhe na krijuan rrezik, por ne ia dolëm të fitonim dhe tani do të luajmë një finale. Duhet të përmirësohemi akoma më shumë për ta fituar këtë kupë. Qëllimin e parë e arritëm, ndërsa tani kemi një tjetër objektiv. Do të jetë një ‘luftë’ e madhe në këtë finale.

Jemi të karikuar dhe duam të bëjmë historinë”, tha kapiteni i Portugalisë. Finalja e parë në historinë e këtij kompeticioni është ajo mes Portugalisë dhe Holandës dhe Ronaldo dëshiron që të jetë fituesi i parë. Mision i vështirë, por jo i pamundur.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"