Një “bomber” shahist, Marku kap mat portierët: S’i vendos limite vetes! Mbrojtësit më të fortë i has në… stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 12:30

Një “bomber” shahist, Marku kap mat portierët: S’i vendos limite vetes! Mbrojtësit më të fortë i has në… stërvitje

Korabi ka një “përbindësh” në sulm. Taulant Marku dëshmoi për të disatën herë që nuk fal, sa herë ka topin në këmbë. I shënoi jo pak, por tre gola Burrelit dhe praktikisht e mundi i vetëm. U bë i dyti sezon radhazi që luan për dibranët dhe as që e mendon largimin. Ka vetëm një qëllim: ta rikthejë ekipin në elitë. Mendon se janë në rrugën e duhur, ndonëse e parashikon “malore” garën. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, 27-vjeçari zbulon shumëçka rreth ekipit dhe mbi të gjitha për veten. Nuk beson te fati, i pëlqen ushqimi i detit dhe na rrëfen se është një ekspert në shah…

TAULANT MARKU KORABITaulant Marku, sulmuesi 27-vjeçar duke festuar një nga golat

Tre gola dhe tri pikë, që e rendisin Korabin në vendin e tretë. “Treshi” duket sikur ju ka sjellë fat?

Nuk besoj te fati, të jem i sinqertë. E megjithatë, mendoj se fati ai është me atë që punon më shumë… Le të jetë ky trepikësh një ogur i mirë për ne. Shpresoj të na udhëheqë drejt objektivit madhor dhe dihet tashmë se cili është.

Rregulli është që pas një triplete, merr edhe topin e ndeshjes. E morët?

Po, po. Pas ndeshjes që të gjithë lojtarët dhe stafi e firmosën topin dhe unë tashmë e kam në shtëpi. Do të jetë një kujtim i veçantë për mua.

Duket sikur është sezoni juaj, pasi po shënoni stematikisht. Është Marku nuhatës perfekt goli apo ekipi punon për të?

Deri tani po shkon mirë. Është një sezon mjaft pozitiv në aspektin personal. Unë gjithmonë jam munduar dhe kam dhënë maksimumin për të ndihmuar Korabin. Sigurisht që i vetëm nuk mund të bëj asgjë, ndaj jemi skuadër në fund të fundit. Të gjithë punojmë për njëri–tjetrin, por detyra e sulmuesit është e qartë: të shënojë gola.

Si është të jetosh në Peshkopi dhe mbi të gjitha të luash futboll?

Të luash futboll në Peshkopi është kënaqësi e madhe. Është qytet që e dashuron futbollin dhe për ta kuptuar këtë mjafton të shohësh se çfarë ndodh ditën e ndeshjeve. Stadiumi është i mbushur dhe tifozët na mbështesin gjatë gjithë lojës. Nuk lodhen kurrë dhe kjo sigurisht që na jep zemër për të ecur përpara. Me ta bëhet gjithçka më e thjeshtë. Por tifozi më special i ekipit është 77-vjeçari Ali Kuçka, i cili na mbështet edhe në transfertë.

A e mendoni largimin nga Korabi në janar, meqenëse merkatoja po afron?

Për momentin jam i përqendruar te kampionati. Synimi im është të shënoj sa më shumë dhe nuk dua t’i vendos kufi vetes.

TAULANT MARKU 1

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Mundohem të ushqehem shëndetshëm, pasi ushqimi është shumë i rëndësishëm për punën që bëjmë. Por të preferuara kam produktet e detit.

Veç topit a ka ndonjë pasion tjetër Marku?

Një ndër pasionet e mia është edhe shahu. Luaj shpesh me babain dhe vëllain, por edhe me shoqërinë kalojmë kohë duke luajtur këtë lojë.

Kundërshtari më i vështirë që keni hasur në një fazë?

Mund të them që të gjithë kanë qenë të fortë. Në futboll nuk ka kundërshtar të lehtë.

Cili ka qenë mbrojtësi që jua ka vështirësuar punën më shumë?

Kategoria e Parë ka mbrojtës shumë të mirë, por unë me më të mirët përballem çdo ditë në stërvitje.

Ngjitja në Superiore do të bëhet e mundur në fund të sezonit?

Do japim maksimumin në çdo ndeshje. Do t’i marrim të gjitha një nga një, duke i vlerësuar maksimalisht. Nuk ka skuadra të lehta, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm. Shpresoj që të shkruajmë historinë, por e dimë që do të jetë mjaft e vështirë.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"