Një arkitekt kërkon të blejë aksionet e klubit të Maliqit, reagon kryebashkiaku: Është keqkuptuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2021 | 20:15

Një arkitekt kërkon të blejë aksionet e klubit të Maliqit, reagon kryebashkiaku: Është keqkuptuar…

Në Maliq duket se nuk e kanë në plan që të shesin aksione. Edhe pse Elton Hoxhallari shfaqi publikisht dëshirën për të marrë klubin e Kategorisë së Dytë, drejtuesit nuk mendojnë ta hedhin këtë hap aktualisht. “Panorama Sport” kontaktoi dje kryebashkiakun Gëzim Topçiu, që është njëherësh edhe presidenti i skuadrës juglindore, për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj çështjeje. Ai nuk i mohon kontaktet, por shpjegon që arkitekti i cili jeton në Holandë është keqkuptuar. Qartazi e thotë se nuk mund të shiten aksionet me një të rënë të lapsit.

2b4c1eeb-6869-4c07-80ea-9967c3712baa-1
“Nuk jam në dijeni për deklaratën e Elton Hoxhallarit në gazetën tuaj. Mund t’ju them se është keqkuptuar për sa i përket shitjes së aksioneve. Nuk ka asgjë konkrete për momentin. Në atë klub kanë dhënë kontribute të çmuara shumë persona, për breza me radhë, nuk është se mund të shiten aksionet me një të rënë të lapsit. Në qoftë se do të ketë diçka konkrete në vazhdim, do t’ju informojmë dhe do t’ju vëmë në dispozicion projektin. Për momentin thjesht ka pasur një interesim…”, u shpreh kryebashkiaku i Maliqit.
138230776_157988842523769_5724554054302727903_n
Elton Hoxhallari, arkitekti që do të blejë Maliqin

Gazeta mëson se palët nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për sa i përket vlerës reale të klubit Maliqit. Bashkia pretendon që të ketë më shumë se 51% të aksioneve, për të mos humbur të drejtën e vendimmarrjes në klub, ndërkohë që arkitekti pret që të jetë ai pronari dhe të ketë akses për të implementuar plotësisht projektin e tij. Ditët e fundit ka pasur një takim mes përfaqësuesve juridikë dhe ekspertëve të dërguar nga Hoxhallari dhe kryetarit të Bashkisë së Maliqit, për të nxjerrë vlerën reale të klubit. E megjithatë, palët nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për sa u përket shifrave. Në javët e ardhshme pritet të ketë një tjetër takim, për të rakorduar kushtet e parashtruara. Në qoftë se kjo gjë nuk arrihet, Maliqi do të vijojë të jetë në pronësi të bashkisë.

“Bonus” për klubin e Kategorisë së Dytë, një arkitekt do të blejë aksione: Kam gati strategjinë

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"