Nisin drithërimat e sezonit, Partizani-Vllaznia përplasje për prestigj dhe… matematikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2024 | 8:42

Nisin drithërimat e sezonit, Partizani-Vllaznia përplasje për prestigj dhe… matematikë

Ajo e së dielës në “Air Albania” nuk është aspak një sfidë normale, siç kanë qenë të shkuarat e këtij sezoni monoton dhe pa emocion. Ka ardhur momenti që lojtarëve, tifozëve dhe teleshikuesve t’u lëvizin “fluturat” në stomak dhe të ndiejnë rrezikun e dështimit.

partizani vllaznia

Sot, në 20:00 Partizani dhe Vllaznia ndeshen në një finale për vendin e dytë. Skuadra që fiton këtë sfidë, thuajse siguron një pozicion nderi, që i jep avantazhin e kualifikimit në finale në rast barazimi në ndeshjen gjysmëfinale të “Final 4”. Partizani e ka mbajtur shumë gjatë rolin e ndjekëses së Egnatias, por prej disa javësh i ka parë “targën” Vllaznisë.

Në kampin e kuq nuk e bërtasin, por ndihet në ajër se të gjithë janë gati të lënë këmbët në fushë për të fituar. Në rast triumfi të Partizanit, kjo ndeshje vlen më shumë se tri pikë, pasi përveç se e barazon Vllazninë me pikë, siglon edhe avantazhin në ndeshje direkte, çka të rendit më lart në rast pikësh të barabarta.

Nga ana tjetër, në rast se fiton Vllaznia, vendi i dytë do të dukej një mision shumë më i lehtë me diferencë prej 6 pikësh nga “demat”. Barazimi nuk ul apo ngre asnjërën, me Partizanin, që do të ruante avantazhin në ndeshje direkte, por do të ishte tri pikë më poshtë. Fakti që është preferuar të luhet në “Air Albania” tregon rëndësinë e madhe që ka kjo sfidë, ku në fushë zbresin rreth 10 milionë euro, duke përllogaritur vlerën e dy ekipeve, sipas “Transfermarkt”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"