Nis Kategoria e Dytë, rivalët vihen përballë që në javën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 17:14

Nis Kategoria e Dytë, rivalët vihen përballë që në javën e parë

Kategoria e Dytë nis këtë javë me një duel shumë interesant mes Naftëtarit dhe Gramozit, ekipe që kanë shprehur qartësisht synimet e tyre për ngjitjen një kategori më lart.

kategoria-e-dyte

Kuçovarët e kanë vlerësuar seriozisht sezonin e ri, ku do të kërkojnë ringjitjen në Kategorinë e Parë. Skuadra e drejtuar nga dyshja Kanani-Gega është drejt përfundimit të përgatitjeve anti-Gramoz, që do ta luajnë në “Bashkim Sulejmani”. Duhet thënë se te kuçovarët ka disa ndryshime në organikë në dalje dhe në hyrje të futbollistëve. Nga ekipi janë larguar portieri Baba e lojtarë si Bufazi, Saraçi, Karakashi, Bani. E megjithatë, ka pasur edhe përforcime. Spikat portieri Shumeli dhe emra si Guri, Vrapi, Saliaj, Tafa e Kërdhicka. Tashmë nuk mbetet tjetër veçse të zbresin në fushë dhe marrin pikët e para të kampionatit.

Edhe Gramozi është gati për startin e sezonit 2021-2022. Qendërmbrojtësi Eri Mydini paralajmëron se do të jenë më të fortë se vjet, ndërsa për gazetën thotë: “Kemi dy muaj që përgatitemi dhe besojmë shumë se ky do të jetë viti ynë. Ndaj Naftëtarit do ta luajmë në transfertë dhe e kemi vlerësuar maksimalisht. Besojmë se do të kthehemi në Ersekë me pikë. U uroj gjithë ekipeve një nisje të mbarë të kampionatit”. Ndërkohë, grupit i janë bashkuar dy mesfushorë brazilianë, Gabriel Santos dhe Joao Pedro, si edhe pogradecari Nikolin Jorgji.

ARBEN ÇEPANI – KOÇO LILO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"