Nis kampionati i meshkujve në volejboll, surprizë që në start. Skënderbeu përmbys Partizanin, ja rezultatet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2019 | 9:43

Nis kampionati i meshkujve në volejboll, surprizë që në start. Skënderbeu përmbys Partizanin, ja rezultatet

Kampionati Kombëtar i Volejbollit për meshkuj ngriti dje tiparin, duke zhvilluar ndeshjet e javës së parë për edicionin 2019-2020.

skenderbeu partizani bolejboll

Që në ditën e parë patën takime mjaft interesante dhe emocionuese, ku nuk munguan as surprizat. Partizani, kampionia në fuqi, u shtang në kryeqytet nga Skënderbeu duke e nisur me humbje kampionatin. Në sfidat e tjera fitojnë pa shumë mund Erzeni, Tirana dhe Studenti.

elbasani tirana volejboll

Partizani – Skënderbeu

Rezultati më befasues erdhi nga ndeshja e zhvilluar në sallën dytësore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, aty ku Skënderbeu përmbysi Partizanin në shifrat 3-2. Takimi filloi me shumë rivalitet dhe dëshirë nga të dyja skuadrat, ndërkohë që të kuqtë ia dalin të fitojnë setin e parë pas pikëve shtesë 34-32. Edhe seti i dytë është shumë i luftuar, por përsëri është Partizani që triumfon minimalisht 25-23.

Capture3

Atëherë kur dukej se skuadra e trajnerit Tomorri po i drejtohej një fitoreje të pastër, ndodh befasia. Korçarët fitojnë terren dhe fillojnë të dominojnë. Loja e mirë e tyre pasqyrohet edhe në rezultat, ku arrijnë të fitojnë setin e tretë dhe të katërt, respektivisht 15- 25 dhe 19-25. Në setin final është sërish skuadra e Pandi Kapedanit që tregohet më e saktë dhe triumfuan 12-15, duke përmbysur gjithçka në 2-3, në një takim që zgjati gati 2 orë e gjysmë.

Teuta – Erzeni

Asnjë vështirësi për Erzenin, që arrin të fitojë lehtësisht ndaj Teutës në Durrës. Shijakasit triumfuan në derbin rajonal 3-0. Diferencat në cilësi mes dy ekipeve ishin të ndjeshme.

Capture1

Nga njëra anë Erzeni, ekip i ndërtuar për të pretenduar maksimumin dhe nga ana tjetër Teuta, e cila në përbërje ka lojtarë shumë të rinj. Ekipi i Arben Sakos është superior në çdo aspekt dhe i fiton bindshëm të tria setet në shifrat 12-25, 18-25, 13-25.

Elbasani – Tirana

Tirana ka mundur pastër 0-3 në transfertë Elbasanin, duke i bërë një nisje të mirë kampionatit. Megjithatë, edhe pse në shifrat e pastra, sfida nuk ka qenë aq e lehtë për kryeqytetasit, të cilët kanë hasur në rezistencën e vendësve.

Capture

Me pak fat, verdheblutë mund ta kishin fituar një set. Fraksioni i parë u mbyll me një diferencë të ngushtë pikësh, 22-25. Përballja është e hapur, por edhe seti i dytë mbyllet në favor të miqve, kësaj here 21- 25. Elbasani mund ta rihapte sfidën në setin e tretë, por gjithsesi është Tirana ajo që fiton me rezultatin 24-26, duke e mbyllur ndeshjen në vetëm tri sete.

Studenti – Farka

Derbi i vogël i kryeqytetit shkon për Studentin. Skuadra e Agim Rekës mposhti 3-1 Farkën, në një sfidë ku nuk mungoi rivaliteti dhe setet u vendosën nga një diferencë minimale pikësh. Skuadra studentore ia del ta fitojë setin e parë 25-21.

Capture2

Në setin e dytë lufta është edhe më e fortë, por është përsëri Studenti që fiton pas pikëve shtesë 27-25. Farka reagon dhe ngushton shifrat në 1-2, duke triumfuar bindshëm në setin e tretë 17- 25, por Studenti përsëri pas pikëve shtesë fiton setin e katërt 28-26 dhe merr fitoren e parë në kampionat.

A.Lleshaj/R.Gjini/V.Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"