Nimani dëmtohet rëndë, Buljan karikon bardhezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2014 | 13:27

Nimani dëmtohet rëndë, Buljan karikon bardhezinjtë

Nimani, Shazivari, Emurllai, BuljanNjë lajm i keq vjen për Laçin në prag të përballjes me Vllazninë, teksa sulmuesi shkodran, Valdano Nimani, ka pësuar një dëmtim të rëndë në Ballsh. Ai ka pësuar një krisje në brinjë e, në këto kushte, mjekët i kanë rekomanduar pushim absolut për të paktën dy javë. Dhe vetëm më pas do të rishihet sërish gjendja e tij dhe të qartësohet se kur mund të rikthehet në fushë. Një ndërhyrje me gju në brinjë e një prej lojtarëve ballshiotë i ka shkaktuar atij krisjen në brinjë, e fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë problem më të rëndë si hemorragji e brendshme në mushkëri, çka do kishte qenë fatale edhe për jetën e lojtarit. Tensioni i madh që krijohej në fushë, nuk i ka lejuar Nimanit as të dallojë dot se kush i ka ndërhyrë.
Mbrojtësi – Në kampin kurbinas, entuziazmi është i madh për rikthimin në vendin e dytë, ndërsa po punojnë intensivisht për sfidën e radhës, që do të luajnë ndaj Vllaznisë. “Derbi i Veriut” pritet të luhet në kushte tërësisht të ndryshme; Laçi lufton për Europë, ndërsa Vllaznia për të mos rënë nga kategoria. Për këtë duel, bardhezinjtë do të kenë edhe shërbimin e mbrojtësit kroat, Stipe Buljan. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai ka pohuar: “Kjo ndeshje vjen në një moment delikat, pasi Vllaznia lufton për mbijetesë, ndërsa ne synojmë Europën. Mirëpo, jam i bindur që çdo lojtar do të japë 150% për të marrë më të mirën në këtë sfidë, që paraqitet e fortë. Më vjen keq për situatën në të cilën ndodhet Vllaznia, por neve na interesojnë vetëm 3 pikët dhe asgjë tjetër. E pranojmë vështirësinë e këtij takimi, por e duam një sfidë të tillë, pasi kemi treguar vlera edhe në përballje të tjera të forta, si ndaj Bylisit, Besës, Skënderbeut, apo skuadrave të tjera, ku kemi dhënë 100%. Ky kampionat është shumë i fortë dhe besoj se sezonin e ri do jetë akoma edhe më i rivalizueshëm”.
Vladimir Prenga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"