Nigeriani i Partizanit e bën festë, klubi do e pajisë me pasaportë shqiptare…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 19:22

Nigeriani i Partizanit e bën festë, klubi do e pajisë me pasaportë shqiptare…

Sodiq Atanda parashikohet që së shpejti të mos konsiderohet futbollist i huaj në Shqipëri. Mësohet se Partizani ka nisur procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare të mbrojtësit nigerian, i cili iu bashkua të kuqve në dhjetor të 2015-ës dhe debutimin në Superiore e kreu me të kuqtë më 30 janar 2016, kur fituan 2-0 ndaj Laçit.

Atanda

Në janar, Atanda bën 5 vite qëndrimi në Shqipëri, pasi në janar të 2013- ës ai mbërriti tek Apolonia nga skuadra nigeriane 36 Lions. Me këtë lëvizje, “demat” pritet që të kenë përfitime të shumta, ku së pari hapet një vend për aktivizimin e një tjetër lojtari të huaj, kur dihet se rregulli është që lejohen vetëm katër futbollistë të tillë në fushë që të luajnë njëkohësisht. Por qëllimi është akoma më i madh, pasi të kuqtë synojnë ta shesin mbrojtësin dhe pasaporta shqiptare i krijon privilegje më të mëdha në Europë. Për futbollistët afrikanë ka rregulla të rrepta në Europë, pasi për çdo kalim transit nga një shtet në një tjetër u nevojitet që të aplikojnë për vizë hyrëse.

Ndërsa me pasaportë shqiptare, mbrojtësi mund të lëvizë pa probleme në pjesën dërrmuese të vendeve europiane. Para disa kohësh, Partizani ia rinovoi kontratën Sodiq Atandës deri në 2019- ën duke i bërë parapritë largimit me parametër zero të 24-vjeçarit. Atanda bën pjesë te grupi i lojtarëve të pëlqyer nga Moxhi dhe, në pranverën e këtij viti, pas këtij pëlqimi, nigeriani gjeti më shumë hapësirë në formacion. Në prononcimin e fundit, Luçiano Moxhi paralajmëroi se Partizani, përveç afrimeve do të shesë edhe futbollistë në fund të sezonit.

atanda skeda

“Big Luçiano” pohoi se po bashkëpunojmë me agjenci menaxhimi në Itali dhe Gjermani. Gjasat janë që Sodiq Atanda të jetë pjesë e këtij plani, ku Partizani pritet të përfitojë financiarisht nga shitja e mbrojtësit nigerian, që së shpejti pritet të pajiset me pasaportë shqiptare. Atanda po zhvillon sezonin e tretë me Partizanin dhe, në pjesën dërrmuese të ndeshjeve, ai ka qenë titullar. Që nga janari i 2016- ës dhe deri më sot, 24-vjeçari ka zhvilluar 51 ndeshje me fanellën e kuqe në Superiore dhe ka shënuar një gol, pikërisht në fitoren 2-0 në transfertën e Durrësit më 18 shtator 2016, kur realizoi edhe Kaleb Ekuban golin e parë me “demat”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"