NGJARJET E SË PARËS/ Revoltë masive ndaj gjyqtarëve, Devolli faktor dhe zgjimi i Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 19:11

NGJARJET E SË PARËS/ Revoltë masive ndaj gjyqtarëve, Devolli faktor dhe zgjimi i Elbasanit

Java e 4-t e kampionatit të Kategorisë së Parë sjell një tjetër shkarkim. Gentian Stojku nuk është më trajner i Burrelit dhe bëhet kështu i dyti që largohet pas Gentian Begesë javën e kaluar. Edhe pse nuk kanë objektiva madhorë, drejtuesit e klubit matjan nuk kanë duruar dhe kanë ndërprerë marrëdhënien me trajnerin elbasanas.

devolli

GJYKIMI PROBLEM – Edhe pse jemi ende në javën e 4-t, ka një revoltë masive nga klubet sa i takon gjykimit. Të gjithë ankohen dhe bëjnë apel për drejtësi, madje edhe kur fitojnë, siç është rasti i Besëlidhjes, që fitoi ndaj Veleçikut, por presidenti Noka e shpalli “non grata” treshen e asaj ndeshjeje. Lezhjanëve iu anuluan 3 gola, ndërkohë që pretendojnë edhe për një penallti të mohuar.

Zërin kundër gjykimit e ka ngritur edhe klubi i Shkumbinit, jo vetëm për humbjen në Peshkopi, por edhe për ndeshje të tjera. Ajo që shqetëson ka të bëjë me faktin se janë katër klube që në fillim të sezonit ankohen zyrtarisht dhe shpallin të padëshiruar arbitra të veçantë. Kujtojmë se i pari që e ngriti këtë problem ishte trajneri i Dinamos, Igli Allmuça, i cili u shpreh për gazetën se gjykimi po e dëmton shumë skuadrën e tij. Më pas ishte klubi i Apolonisë që mbajti qëndrimin për ndërkombëtarin Enea Jorgji pas humbjes me Lushnjën në derbi. Vazhdoi presidenti i Besëlidhjes, i cili theksoi se gjyqtarët po shkatërrojnë investimin e tij dhe së fundmi janë peqinasit që flasin për gjykim problematik.

FAKTORI DEVOLLI – I vetmi ekip pa humbje në Grupin B dhe në krye të tabelës, me 10 pikë. Fitorja ndaj Lushnjës me shumë përvojë tregoi forcën e skuadrës së drejtuar nga trajneri Stavri Nica, që është një ansambël që funksionon më së miri. Capture

Një kombinim midis lojtarëve korçarë dhe atyre brazilianë, me Motën që i jep klas formacionit të Devollit dhe Ivanin që realizon gola me peshë. Ekipi që vjen nga Kategoria e Dytë nuk është aspak një surprizë. Pogradeci, Elbasani dhe Lushnja e dinë shumë mirë këtë gjë. Pa frikë mund të futet në grupin e pretendentëve për Superioren.

ZGJIMI I ELBASANIT – Në momentin që askush nuk e priste, Elbasani, me 0 pikë pas 3 ndeshjesh, ka bërë surprizën në fushën e vështirë të Orikumit, ku ka fituar me një gol të Baros. Verdheblutë më në fund duket se janë zgjuar dhe kjo fitore në transfertë pritet të shërbejë si një shtysë e fortë që ata të mos vuajnë për qëndrimin në Kategorinë e Parë.

Capture1

Trajneri Lleshanaku ka një grup futbollistësh të rinj, por skuadra duket se ka filluar të reagojë mirë. Shpresohet që ajo fitore transferte të mos jetë thjesht një shkëndijë e shkëputur për një nga skuadrat me më shumë traditë të së Parës. I vetmi ekip që nuk e ka shijuar ende pikën e parë në kampionat është Veleçiku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"