“Ngatërron pjesëtimin me shumëzimin. Në gjyq me Nurkoviçin”, Idrizi: Veliun e paguaj kur të zhbllokohen llogaritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 12:45

“Ngatërron pjesëtimin me shumëzimin. Në gjyq me Nurkoviçin”, Idrizi: Veliun e paguaj kur të zhbllokohen llogaritë

Sinan Idrizi konfirmon se ka likuiduar të gjithë ish-lojtarët e Flamurtarit, me përjashtim të… Franc Veliut. Të radhës që kanë marrë detyrimet e tyre nga ana e klubit kuqezi janë Kreshnik dhe Bajram Nebihu.

SINAN IDRIZI

E megjithatë, historia e borxheve nuk mund të quhet ende e mbyllur. Ka mbetur edhe ishkapiteni pa u paguar dhe duket se nuk është lënë në fund pa shkak. Borxhi ndaj tij ishte ai që solli edhe bllokimin e llogarive bankare.

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori nuk ka ngurruar që ta “thumbojë” ish-mbrojtësin.

“Janë paguar të gjithë ish-futbollistët e Flamurtarit. I vetmi që ka mbetur pa u paguar është Franc Veliu. Kur të na zhbllokohen llogaritë bankare, do ta paguajmë edhe atë.

Unë nuk di aritmetikë, Franci e di shumë mirë… Ngatërron pjesëtimin dhe shumëzimin. Kur të na zhbllokohen llogaritë bankare, Veliu le të marrë detyrimin që ka”, është shprehur fillimisht Idrizi, duke lëshuar hapur një “kunj” për ish-mbrojtësin.

ÇËSHTJA “NURKOVIÇ”

Flamurtari pretendon se ka dhënë pagesa të kota ndaj disa ish-lojtarëve. Një prej tyre është Adis Nurkoviç. Në llogarinë bankare të avokatit të portierit u depozituan 17 mijë e 150 euro, shumë kjo e pretenduar si e papaguar, për të cilën kishte ardhur edhe ultimatum nga FIFA që kishte bllokuar edhe regjistrimin e lojtarëve.

Por, klubi vlonjat pretendon se ka shlyer çdo detyrim ndaj ish-gardianit boshnjak.

Administratori Sinan Idrizi thotë se e ka çuar në prokurori portierin boshnjak bashkë me avokatin e tij me një akuzë të rëndë. “Kemi një çështje tashmë me ishportierin Adis Nurkoviç dhe avokatin e tij.

Gjërat tashmë do t’i zgjidhë gjykata, prokuroria dhe institucionet e drejtësisë. Kemi bërë kallëzim për ta si një grup i strukturuar kriminal. Avokati ka mashtruar me çështjen dhe ne disponojmë të gjitha provat”, sqaroi kreu i kuqezinjve.

EDHE KROATËT NË GJYQ

Flamurtari do të hapë një çështje gjyqësore edhe për avokatin e ish-lojtarëve kroatë. Bëhet fjalë për avokatin e Bushiçit dhe kroatëve të tjerë, që kanë qenë në Vlorë.

“Avokati i lojtarëve kroatë ka marrë disa mijëra euro më shumë. Nëse nuk i kthen, do të përballet në gjyq me ne. Afat ka deri në fund të këtij muaji. Nëse nuk do të ketë reagim, atëherë do t’i drejtohemi FIFA-s, por jo vetëm.

Do shikojmë edhe në gjykatat dhe prokuroritë shqiptare. Kanë marrë më shumë se çfarë u takon nga ne”, përfundon Sinan Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"