Nga titujt kampionë në Superiore te sfida e moshës, “ujku” Sefa rrëfen karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2019 | 20:33

Nga titujt kampionë në Superiore te sfida e moshës, “ujku” Sefa rrëfen karrierën

Nofkën “ujku” e ka marrë para se të shkonte te Skënderbeu, ku u shpall kampion, ashtu si dhe me Dinamon. Fatjon Sefa mbush sot 35 vjeç. Ai është një ndër futbollistët model të kampionateve tona, në Kategorinë e Parë dhe në Superiore.

Bate-Skenderbeu 0-0, Sefa ne dyluftim

Shembullor për sjelljen në fushë dhe jashtë saj. Po sfidon moshën me fanellën e ekipit të zemrës, Lushnjës, duke u shpallur shënuesi më i mirë i saj në dy edicionet e fundit.

Vendimi është marrë, do të jetë të paktën edhe për një sezon kapiten në “Roza Haxhiu”. I diplomuar në Institutin e Fizkulturës, babai i një vajze 5- vjeçare, një familjar i rregullt, Sefa mbetet model për të rinjtë lushnjarë. I ka provuar të gjitha ndjesitë në 17 vite karrierë: gëzimin, euforinë, trishtimin.

Dy herë ka “certifikuar” Lushnjën në Superiore, dy herë kampion me Dinamon dhe Skënderbeun. Që nga viti 2015 është personazhi kryesor i Lushnjës. “Ujku” 35- vjeçar është idhulli i padiskutueshëm i tifozërisë verdhejeshile.

Skenderbeu-Flamurtari 1-0 (Superkupa), Sefa dhe Berisha me trofeun e Superkupes

Fatjon, cilët kanë qenë hapat tuaj të parë në futboll dhe trajnerët e parë?

Në hapat e parë të futbollit profesionist më ka stërvitur trajneri Gafur Taullahu, me skuadrën e paratërinjve të Lushnjës. Më ka ndihmuar jashtë mase që të arrija atë çfarë kam bërë sot. Vlen për t’u falënderuar dhe puna që kanë bërë me mua trajnerët në skuadrën e të rinjve të Lushnjës, Aleksandër Duri dhe Gëzim Beda. Luaja në skuadrën e të rinjve dhe në fund të sezonit 2002-2003 më thirri në skuadrën e parë trajneri Kristaq Mile. Jam aktivizuar për herë të parë në Elbasan, ku kam zëvendësuar Boriçin. Kemi humbur 1-2, por në fund kemi luajtur një ndeshje shtesë me Apoloninë. Kam qenë në stol dhe në fund të ndeshjes kam festuar qëndrimin e Lushnjës në 10-shen e Superiores.

Si mësoi Sefa të shënojë dhe u hapi rrugën mbi 100 golave në kampionatet tona?

Golin e parë e kam shumë të freskët në memorie. Luanim me Dinamon dhe po humbnim 0-1. Më thirri trajneri Ilir Gjyla dhe më futi në fushë. Mund të ishin rreth 6-7 mijë spektatorë. Shënova gol. Më erdhi një top te këmbët si ta kisha porositur, isha përballë Ilion Likës dhe realizova. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm. Na duheshin ende pikë, sepse ishim në një garë me Besën për të qëndruar në Superiore dhe sezoni mbaroi me sukses, ne qëndruam. Pastaj, emocionet po shuheshin dhe u hap rruga drejt golave të tjerë.

A ka pasur shumë vështirësi për të kaluar nga futbolli i të rinjve në futbollin e madh?

Shumë vështirësi. Në vitet 2003-2006 Lushnja luante në Superiore dhe rivaliteti në skuadër ishte shumë i madh. Lushnja kishte presidencë dhe kërkesa e llogarisë ishte tepër e lartë. Presioni ishte shumë herë më i madh, kurse tani është krejt ndryshe. Mospasja e një presidence ka ndikuar negativisht në futbollin e Lushnjës, që e dimë të gjithë se financohet vetëm nga bashkia.

fatjon sefa

Ëndrra ime e vetme është që ta shoh Lushnjën sa më lart, pasi është një ekip që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar dhe ka bërë lojëra të bukura. Jam në fund të karrierës dhe dua t’u bëj thirrje futbollistëve të rinj, sepse po shoh që Lushnja nuk po furnizohet me lojtarë. Duhet të jenë më të vendosur dhe më të përkushtuar te puna për të arritur një qëllim, siç e kam arritur unë. Mendoj se kam arritur maksimumin që mund të bëjë një sportist. Është kënaqësi që ta përmend gjithmonë. Dua që edhe futbollistët e rinj të Lushnjës të ecin në hapat e mi, por pa punë dhe vështirësi nuk bëhet.

Pas Lushnjës, te skuadrat e mëdha të futbollit shqiptar…

Kalimi nga Lushnja te Dinamo ishte fitorja ime e karrierës. Dinamo më kërkoi pas një sezoni shumë të mirë te Lushnja, ku ne u ngjitëm në Superiore dhe isha shpallur shënuesi më i mirë i kampionatit të Kategorisë së Parë. Mund ta quaj fitore tamam për mundin dhe djersën që kisha derdhur si sportist. Kisha luajtur disa vite me Lushnjën, kisha luajtur me Shkumbinin dhe Laçin. Te Dinamo mora frytet e punës sime.

Besa ka qenë një tjetër periudhë e mirë dhe ju e quani “shtëpinë e dytë”, por njësoj si Lushnja po vuan shumë vitet e fundit!

Gjëja kryesore është financimi. Gjatë viteve të fundit Besa ka prodhuar më shumë lojtarë se Lushnja, thjesht nuk është mbështetur nga ana financiare. Po të kishte pak më shumë financa, Besa do të ishte ajo skuadër që i jep tonin futbollit shqiptar. Kam kaluar një periudhë mjaft të mirë në Kavajë. Kam kënaqësinë ta them gjithmonë me pastërti dhe ndershmëri se Kavaja është shtëpia ime e dytë. Kam kaluar një periudhë 3-vjeçare dhe jam ndier i privilegjuar nga presidenca, nga stafet që e kanë drejtuar Besën. I kam bërë detyrat, por kam qenë edhe i privilegjuar. Kam shkëmbyer informacion me presidentin gjithnjë për të mirën e Besës. Më kanë kërkuar prapë dhe vetëm Lushnja më ka penguar.

Besa-Flamurtari 3-1, Sefa ka shenuar

Sezoni 2011-2012 e ka trishtuar shumë Sefën. Një ndeshje e fundit me Kukësin para 10 mijë spektatorëve që rezultoi finale. Duheshin tre gola dhe nuk u shënua asnjë. Më pas pati edhe akuza për skuadrën e Lushnjës?!

Rregullorja ndryshoi në momentin e fundit. Ne mund të kualifikoheshim edhe me 1- 0. Kur filloi kampionati, ishte ky rregull dhe më pas ndryshoi dhe duheshin tre gola. U ndryshua më vonë dhe ndikoi negativisht për Lushnjën. Ne e provuam për ta sqaruar njëherë e mirë opinionin, por edhe tani dua ta them me dy fjalë: Përderisa ka luajtur Fatjon Sefa, është luajtur ndershëm. Duhet të bindet i gjithë opinioni lushnjar për këtë. Kukësi e meritoi dhe nuk ka pasur asnjë lëshim nga skuadra jonë.

Te Skënderbeu Sefa u rikthye te trofetë dhe pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Si e kujtoni atë sezon?

Është gjë e mirë për mua që ndihem i vlerësuar. Trofetë dhe kontributin ma kujtojnë gjithmonë. Dinamo dhe Skënderbeu të atyre kohërave ishin dy skuadra të mëdha, isha pjesë e atyre që nderuan Shqipërinë. Emocionohem kur i kujtoj dhe kam gjithnjë nostalgji për ato kohëra.

Sefa

Nga Skënderbeu i Ligës së Kampioneve, te Lushnja në Kategorinë e Parë. Çfarë ndodhi?

Unë hapa një biznes në qytetin e Lushnjës, një biznes familjar. Kjo ka qenë arsyeja që erdha në qytetin tim dhe nuk kam lëvizur më. U stabilizova në Lushnjë, ku krijova familjen time. Në atë kohë erdhi në jetë edhe vajza, Luvia, kështu që e kisha të pamundur të lëvizja nga Lushnja. Ofertat nuk më kanë munguar, edhe nga ekipe të mira të Superiores, por ishte biznesi që hapëm familjarisht që nuk më linte të largohesha nga Lushnja.

Por Lushnja nuk po ngre më kokë. Pse, sipas jush?

Kthehemi pak prapa, sepse kjo është nga prurja e lojtarëve. Para 10 viteve kishte kontingjent, ekipi furnizohej nga të rinjtë, kishte edhe dëshirë më shumë. Në atë kohë Lushnja shikohej edhe si trampolinë për të shkuar tek ekipet e mëdha. Lushnja furnizonte ekipin e vet dhe të tjerët, ndërsa në këto 10 vitet e fundit nuk po punohet më. Infrastruktura është për të ardhur keq, është për të vënë duart në kokë. Nuk ka ku të stërvitet ekipi i parë dhe jo më skuadrat e të rinjve apo paratërinjve.

Sefa dhe Canka

Tani jeni në fund të karrierës. A do të donit të rikthehej dyshja Canka-Sefa?

Mikel Canka vendin e ka në Lushnjë, pa zbukuruar asgjë. Kemi qenë një dyshe që kuptoheshim mjaft mirë me njëritjetrin, kemi qenë tmerri i mbrojtësve kundërshtarë.

Si ju duket tani Grupi B i Kategorisë së Parë?

Më i favorizuar për Lushnjën, sepse, siç e dimë, Bylisi pati një skuadër shumë të mirë sezonin e kaluar. Ne u munduam me mish e me shpirt ta ndalonim, por ishte e kotë. Këtë vit gjërat më duken më të realizueshme, por çdo gjë varet nga vetë ne, sepse po nuk punove, po nuk luftove në fushë, nuk arrihet asgjë.

Familja sa ju ka mbështetur në karrierën tuaj?

Jam nga ata sportistë, ku familja më mbështeti që të arrija dëshirat e mia, me forcat e mia. Dua t’u them edhe lojtarëve të tjerë të heqin dorë nga të qenit sportistë me zor. Sportist bëhesh vetë, nuk të bën as babai dhe as nëna. Unë jam djali i një familjeje punëtorësh dhe u bëra futbollist kampion vetëm me forcat e mia.

Sefa

Ky sezon është akti i fundit për Sefën?

Pjesa e fundit është më e vështirë se ajo e fillimit. Jam matur në shumë raste për t’u tërhequr. Të del gjumi natën dhe mendon sikur je përsëri në fushë. Kjo më ndodhi, pasi ika nga Skënderbeu dhe kam menduar që ta lë futbollin, por më hanë këmbët ende. Unë jetoj në një qytet shumë sportiv dhe do të luaj sa të kem fuqi.

Sefa është edhe tifoz i Lushnjës, apo jo?

Është ambienti, është një qytet që flet me orë të tëra për futbollin. Lagjja ku unë banoj, ka një grupim nga kryesorët e tifozërisë së Lushnjës, që quhet “Ultras Ypsiloni”.

Do të thosha se është ftohur jashtë mase, është ftohur shumë ky tifo-grup, por edhe grupime të tjera. Një nga ëndrrat e mia është që të rikthehen në stadium tifozët e Lushnjës. Unë jam kundër bojkotit të tifozëve, në të mirë dhe në të keq ata duhet të jenë pranë ekipit. Futbolli për ata luhet.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"