Nga pritshmëritë te merkatoja, rrëfehet Pioli: E nisim nga zeroja, njohim “recetën” e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2022 | 9:46

Nga pritshmëritë te merkatoja, rrëfehet Pioli: E nisim nga zeroja, njohim “recetën” e titullit

Sot Milani do të nisë rruqëtimin 38-javor për të ruajtur kurorën e fituar vjet. Në 18:30 për vizitë në “San Siro” vjen Udineze, teksa Stefano Pioli në konferencë për shtyp sqaroi objektivat sezonalë duke filluar pikërisht që nga sfida e sotme.

PIOLI

Priten 70 mijë tifozë. Si do ta shkrini entuziazmin me synimet?

Nuk ka nevojë për shkrirje, sepse të kesh stadiumin plot më 13 gusht është arritje e madhe. Klasifikimi zerohet dhe të gjithë e nisim pa asnjë pikë, por vjet mësuam se çdo ndeshje duhet përgatitur më së miri.

Ku mund të kompletohet skuadra juaj?

Jemi të fortë, por se sa, do ta tregojë fushë. Te djemtë kam parë të njëjtën dëshirë dhe shpirt gare. Asnjëri prej nesh nuk ka arritur maksimumin, ndaj pres rritje të mëtejshme të Milanit. Nëse mund të kompletohet do ta vendosin drejtuesit që janë unikë në punën e tyre. Te Milani i kemi idetë e qarta dhe do të bëjmë goditje vetëm nëse janë zgjedhje të përshtatshme.

Si ju duken të rinjtë?

Divoku, Sharli e Jasini më japin ndjesi të mira. Kanë cilësi që e plotësojnë edhe më mirë fazën tonë ofensive. Të gjithë do të jenë të gatshëm për sfidën me Udinezen përveç Tonalit. Origi është i kompletuar dhe di të na japë thellësi e të dialogojë më shokët. Besoj se do të na japë kënaqësi të madhe sepse është inteligjent ashtu si De Ketelare dhe Adli.

Gjatë fazës përgatitore, kush ka qenë më mirë?

Nëse duhen thënë disa emra patjetër, atëherë do të përmendja Mesiasin, Rebiçin dhe Benaserin. Sidoqoftë, kanë qenë vetëm miqësore nga ku kemi marrë sinjale, të cilat duhen konfirmuar tani që takimet vlejnë 3 pikë.

Pse nuk ju përfshijnë te favoritet?

Nuk jemi shqetësuar kurrë për këtë fakt. Mundohemi të jemi konkurrues dhe të tregojmë vlera tona. Sivjet kampionati do të jetë ndryshe prej Botërorit e askush nuk ka përvojë në kontekste të tilla. Deri në Katar janë 23 ndeshje dhe besoj se ka për të qenë një garë e bukur.

Ku duhet të jetë ngjashmëria e ku dallimi me ekipin e vitit të kaluar?

Energjia dhe qasja mendore dua që të jenë të njëjtat. Nëse do të nevojiten ndryshime, do ta kuptojmë nga paraqitjet. Për fat kam 26 titullarë me karakteristika të ndryshme që mundësojnë ndryshimet në çdo moment. Pika e referimit duhet të vijojë të jetë skuadra.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës?

Kemi punuar 40 ditë dhe i dimë vështirësitë e takimit, aq më tepër që Udineze është një nga rivalët e pakët që vjet nuk e mundëm dot. Duhet të punojmë shumë pa top e të mos u japim pika referimi duke rezultuar sa më kompaktë.

Adli e De Ketelare mund të luajnë së bashku?

Lojtarët e talentuar dhe inteligjentë mund të luajnë së bashku. Të dy e njohin lojën vertikale dhe nuk kanë pozicione fikse. Sidoqoftë, shumë nga paraqitjet do të varen dhe nga prania në Botëror, sepse ky ka për të qenë sezon anormal. Ata që marrin pjesë për ta fituar do të stërmunden, teksa ata që nuk do shkojnë në Katar mund të kenë përfitime.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"