Nga Pogradeci te Apolonia, Lushnja kërkon drejtësi/ Nënkryetari Nushi: Ata që e drejtojnë këtë garë duhet ta…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 15:55

Nga Pogradeci te Apolonia, Lushnja kërkon drejtësi/ Nënkryetari Nushi: Ata që e drejtojnë këtë garë duhet ta…

Kur duhen edhe 5 ndeshje deri në fund të kampionatit, Lushnja ndodhet në vend të tretë, me 35 pikë, 5 më pak se Apolonia kryesuese dhe 4 pikë më pak se Pogradeci i vendit të dytë. Nënkryetari i bashkisë së qytetit, Gentian Nushi, në një prononcim për “Panorama Sport” kërkon nga gjyqtarët dhe organizatorët e garës të jenë korrektë me Lushnjën.

NUSHI

“Me gjithë situatën e vështirë që kaloi vendi ynë me këtë pandemi, është gjetur mundësia që skuadra e futbollit të vazhdojë normalisht, ashtu si para kësaj situate. Ne si bashki jemi përgjigjur me të gjitha detyrimet financiare dhe detyrimet morale për ekipin. Lushnja është përgatitur dhe ka qenë në formë shumë të mirë. Të gjithë e pamë në ndeshjen me Apoloninë, e para pas një ndërprerjeje shumë të gjatë.

Ne jemi në garë dhe pjesa e dëmtimit të garës nuk i takon institucionit të bashkisë. Ata që e drejtojnë këtë garë duhet ta organizojnë për të gjithë njësoj, të jenë barabartë. E mbyllëm fazën e dytë me një episod të padrejtë në Pogradec dhe sapo nis faza e tretë, një tjetër episod i tillë na ndodh në Fier.

Janë gjëra që duken dhe nuk duan komente. Duam që gara të jetë sa më e drejtë dhe të vazhdojmë me synimet që kemi. Ata që e drejtojnë këtë garë, duke filluar nga gjyqtarët dhe organizatorët, duhet të jenë korrektë me Lushnjën”, thotë Gentian Nushi, numri 2 i bashkisë.

MAGANI – Nesër pasdite lushnjarët do të luajnë përballjen me Besën në stadiumin “Roza Haxhiu”, në orën 17:00. Për këtë ndeshje dhe humbjen në derbi flet Endri Magani, autori i golit të vetëm.

endri magani

“Goli në derbi me entuziazmoi pa masë, pastaj ndodhi ajo që nuk e priste askush. Acarimi në fund të pjesës së parë erdhi për atë penallti absurde, sepse Lushnjës i hynë në hak. Tani jemi duke u përgatitur për ndeshjen me Besën, ku kërkohet kthimi te fitorja për të përfituar sa më mirë nga fakti që Apolonia dhe Pogradeci do të luajnë së bashku.

Jemi përqendruar te ndeshja jonë, sepse luajmë me një kundërshtar në formë që mundi Pogradecin. Do të japim maksimumin për fitoren”, deklaroi Magani. Lushnja e ka mundur dy herë Besën këtë edicion, 3-2 fazën e parë në Lushnjë dhe 1-0 fazën e dytë në Pezë-Helmës. Aktualisht diferenca e dy skuadrave në tabelë është 5 pikë në favor të Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"