Nga Muka te financat, zbulohen arsyet që e mbajtën Memën në stolin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 23:30

Nga Muka te financat, zbulohen arsyet që e mbajtën Memën në stolin e Tiranës

Tirana është ngrënëse trajnerësh. Këtë e di shumë mirë ai që punon si trajner dhe që për më tepër merr drejtimin e bardhebluve. Janë shumë faktorët që të çojnë në këtë konkluzion. Pak a shumë e njëjta histori është edhe ajo e Ardian Memës. Nuk është e fshehtë, se drejtuesit një dorëheqje do ta pranonin me qetësi dhe kënaqësi.

ardi mema refik halili

Kjo u vërtetua nga fjalët e presidentit Refik Halili. Gjithsesi, qëndrimi i Ardian Memës te Tirana është kushtëzuar nga katër faktorë shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë për fatin e trajnerit të Tiranës. Të gjithë këta faktorë kanë bërë që Mema të ketë sërish shansin e tij të madh për të ngritur në maja Tiranën.

PARATË

Dihej që Refik Halili nuk do ta kishte shkarkuar Ardian Memën asnjëherë për një fakt. Kostoja financiare që do të sillte ky operacion do të rëndonte klubin dhe vetëm një marrëveshje xhentëlmenësh mund ta mbyllte punën. Dorëheqja nuk erdhi. As marrëveshja dhe në këto kushte, Halili nuk lëvizi. Faktori financiar luajti rol goxha të rëndësishëm në qëndrimin e Ardian Memës.

E KALUARA – Presidenti Refik Halili vendosi që të mos bëjë asnjë lëvizje radikale për trajnerin, sepse gjithmonë është kritikuar për nxitim të tejskajshëm. Në tetor ai ka një “listë të zezë” me koka trajnerësh, duke kujtuar këtu largimet e Ilir Dajës, Ze Marias apo trajnerë të tjerë në të kaluarën. Duke qenë në dilemë nëse do të bënte mirë apo keq, Halili vendosi për qëndrimin e Memës.

ard mema

Dhe duke i dhënë kohë Memës për të punuar, ai të paktën ka shuar fjalët që gjithmonë e kanë kritikuar se është nxituar me shumë trajnerë, duke i larguar para kohe dhe prishur sezonin shumë shpejt. Këtë herë një trajneri i ka dhënë kohën e mjaftueshme për të punuar, që të mos i hyjë në hak askujt.

KANDIDATËT – Faktori i tretë i rëndësishëm që Mema shpëtoi nga largimi ishte mungesa e kandidatëve seriozë në treg. Shkurt, nuk kishte asnjë trajner që i mbushte mendjen presidentit Refik Halili. Ndonëse ka pasur shumë emra në qarkullim, Halili donte të plotfuqishëm në skuadër.

halili mema

Ata që janë pa punë nuk ia mbushnin mendjen atij dhe skuadrës. E në këto kushte vendosi që për momentin të mos ngatërrojë fare “kartat”, për të mos u penguar me zgjedhjen e gabuar që mund të bënte.

VETOJA

Te Tirana e dinë të gjithë. Refik Halili dhe Devi Muka janë jo vetëm miq të mirë, por e besojnë shumë njëritjetrin. Muka është sponsori kryesor i Ardian Memës në ekip dhe gjithmonë i ka dalë në krah.

muka halili

 

Burimet thonë që edhe këtë herë ai e ka mbrojtur Memën, duke vënë veton e tij te Halili, madje duke vënë në tavolinën e presidentit edhe dorëheqjen e tij dhe stafit, nëse presidenti shkarkonte apo largonte trajnerin e parë. Katër këta faktorë ishin vendimtarë për qëndrimin e Ardian Memës te Tirana. Ama ultimatumi i ndeshjeve mbetet. Nëse nuk fitohet në dy takimet e ardhshme dhe bëhet kthesa e madhe që është premtuar në mbledhjen e djeshme, vendimi i Halili është i pashmangshëm…

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"