Nga Kastrioti te Kastrioti, Dinamo ka nevojë për “ristart”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 21:14

Nga Kastrioti te Kastrioti, Dinamo ka nevojë për “ristart”

Ajo ndeshje e parë e sezonit me Kastriotin, e zgjidhur me dygolëshin e Çinedusë, ishte një shkëndijë për rikthimin e Dinamos me pretendime madhore në elitë. Shkëndijë që mbeti ndezur pas tri barazimeve radhazi të skuadrës së trajnerit Bledi Shkëmbi me Laçin, Teutën dhe Partizanin.

dinamo derbi

Pas këtyre ndeshjeve u krijua mendimi në radhët e drejtuesve dhe stafit teknik se Dinamo mund të luftonte për titullin kampion, një konkluzion që një pjesë e opinionit e konsideroi të nxituar, duke ditur defektet që ka qëndrimi për një kohë të gjatë në futbollin inferior, por edhe faktin se një skuadër e ndërtuar nga e para kërkon kohë që të konsolidohet. Dhe koha u dha të drejtë. Në fakt, edhe vetë drejtuesit blu mund të mos kenë qenë të bindur në atë kohë, por të paktën besonin se Kupat e Europës janë plotësisht të arritshme në një kampionat me konkurrencë të fortë si ky aktual.

ZHGËNJIMI – Edhe kur nuk ka mundur të marrë pikë, për një arsye apo një tjetër, Dinamo ka pasur fragmente të mira loje në ndeshje të caktuara. Ato ndeshje që e kanë prishur deri diku imazhin e saj janë humbjet 6-3 në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe 4-0 ndaj Tiranës në “Air Albania”. Kanë qenë ndeshje, ku blutë janë dukur të vegjël, me shumë gabime individuale, në ndonjë rast edhe në nivel amator, me një shpërfytyrim të pashpjegueshëm, pa grintë dhe pa dëshirë në fushë. Mungesat mënjanë, ato 180 minuta, me 10 gola të pësuar, kanë treguar se Dinamo e këtij sezoni duhet ta mbajë “stekën” ulët dhe do të jetë sukses për të, nëse ia del të zërë një vend në Kupat e Europës.

NJËSOJ EDHE KUPA – Nuk mund të merren si momente të shkëputura dy ndeshjet e përmendura më lart, sepse edhe në 4 ndeshje të Kupës së Shqipërisë, ku është kualifikuar me 2 fitore dhe 2 humbje. Por nëse në kampionat djegin shumë pikët e lëna, në Kupë kualifikimi e mbulon edhe paraqitjen e dobët të skuadrës në humbjen me Erzenin në Shijak dhe me Tiranën në kryeqytet, ku kalimi në çerekfinale u siguruar me anë të penalltive.

“RISTART” ME KASTRIOTIN – Ja ku vjen sërish ndeshja me Kastriotin, e vlefshme për javën e 10-të të kampionatit. Blutë kanë nevojë për një “ristart” dhe ndoshta frymëzohen nga ky kundërshtar, të cilin e mundën me lehtësi në javën e parë. Që nga ajo javë Dinamo ka luajtur 8 ndeshje në kampionat dhe ka marrë vetëm 7 pikë, më pak se 1 pikë për ndeshje, duke thyer edhe parashikimin më pesimist. Të dielën fitorja është domosdoshmëri për të besuarit e Shkëmbit, sepse në të kundërt edhe Kupat e Europës do të duken të pamundura dhe skuadra më shumë duhet t’i ruhet rënies nga kategoria. Deri në këtë moment, ky sezon po rezulton më i vështirë nga sa u parashikua, edhe pse të shumtë ishin ata që mendonin se sezoni i parë pas rikthimit në elitë do t’i shërbejë Dinamos për “stazhin”. Gjithsesi, është ende shpejt dhe një fitore ndoshta i çliron psikologjikisht blutë. Të shohim nëse një sukses i mundshëm me Kastriotin mund të shërbejë si “ilaç”!

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"