Nga goli me Belgjikën tek emërimi si shef sigurimi në Rinas/ I paharruari Minga, legjenda e Tiranës sot do të mbushte 65 vjeç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2024 | 20:42

Nga goli me Belgjikën tek emërimi si shef sigurimi në Rinas/ I paharruari Minga, legjenda e Tiranës sot do të mbushte 65 vjeç

Nga UVIL ZAJMI

Arben Minga lindi më 16 mars të vitit 1959 dhe sot do të festonte 65-vjetorin. Por, fatkeqësisht, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshë shumë të re, do të ndahej nga jeta, në Kanadanë e largët më 30 janar 2007, atje ku ishte transferuar me familjen, ku jetonte dhe punonte prej vitesh.

arben minga

Arben Minga, futbollisti legjendar i 17 Nëntorit, i përfaqësueses, një ndër talentet e mëdha, me të cilin është e lidhur një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar. Një emblemë, një mit për klubin bardheblu dhe për ngjyrat kuqezi. Me numrin 10 në fanellë, i tillë kujtohet edhe sot. Një karrierë e nisur në moshë të vogël, i evidentuar që në kontaktet e para me topin, në shkollën “Alqi Kondi”, pastaj me grupmoshat e të rinjve të klubit nga trajnerët Adem Agovi, Albert Oroshi dhe Haxhi Arbana.

Arben-Minga

Ishte vetëm një djalë i ri, adoleshent, kur, do të shfaqet në stërvitje, pastaj në ndeshje, për t’u konfirmuar në pak kohë, si një ndër protagonistët absolut të klubit. Ai që do të përcaktonte fatin e tij do të jetë trajneri Fatmir Frashëri, një tjetër emër i madh i klubit, që do ta afrojë tek skuadra e parë. Ka qenë muaji gusht, kur në një miqësore, ai do ta aktivizonte dhe Minga në atë debutim nuk do të zhgënjejë: 1-1, ai është autori i golit për tiranasit, duke regjistruar edhe të parin e tij bardheblu. Për të vijuar me ndeshjen e pare zyrtare në kampionat, sezoni 1976-1977, kombëtarin “Qemal Stafa”, 17 Nëntori do të fitonte 2-1 me Flamurtarin.

Është nxënës në shkollën e mesme teknikum ndërtimi, viti i tretë dhe titullar me ekipin e pare të 17 Nëntorit, një skuadër në fazën e një ndryshimi, në kërkim të rezultateve, në ruajtje të emrit, traditës dhe trofeve. Minga nuk është as 18 vjeç, duke qenë shumë shpejt titullar te 17 Nëntori, përkrah emrave të njohur nga Perikli Dhales, Arben Çela, Petrit Dibra, Edomond Gëzdari, Fori Llambi, Hajri Frashëri, Millan Baçi etj.

Nga 1976 deri më 1991, titullar i padiskutueshëm në formacionin kryeqytetas, në rivalitetin e madh të kohës, me Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Labinotin dhe Flamurtarin. Me një hap galopant, vështirë t’ia merrje topin, i forte shumë fizikisht (1.88 i gjatë), nuk njihte terren, kohë dhe shumë deciziv në ndeshjet në udhëtim, ku e tërhiqte edhe i vetëm skuadrën.

minga1

Realizues i gjithanshëm me kokë e këmbë. Autor i 266 golave në total në 738 takime të luajtura në karrierë, në Shqipëri dhe jashtë saj. Goli i fundit i realizuar në njërin nga sfidat derbi, në të cilat ka qenë protagonist i jashtëzakonshëm: 24 shkurt 1996, SK TiranaPartizani 2-0. Pas 17 edicionesh në Shqipëri, Arben Minga do ta vijojë karrierën në Rumani, kur në vitin 1991, do të trasferohet në klubin FC Brashov. Pastaj te Dacia dhe FC Giorgiu, për t’u rikthyer më 1994 tek SK Tirana, duke e mbyllur aty karrierën. Viti 1996, saktësisht pas 20 vitesh shkëlqim, kudo ku luajti.

Ka qenë 8 maj 1996, kur do të veshë për here të fundit fanellën bardheblu, në takimin mbyllës të kampionatit, 1995-96, SK Tirana-Albpetrol 5-1. Një karrierë që e regjistron 6 herë kampion të Shqipërisë me 17 Nëntorin dhe SK Tiranën, fituesi Kupës në 6 edicione të saj.

shkelqim muca arben minga

Një here triumfues edhe në Superkupë. Përfaqësues dinjitoz i treshes së mrekullive, kur shpirti kryeqyetas zbriste në fushë: Minga një mercolog-Muça inxhinier-Kola mësues i edukimit fizik. Të papërsëritshëm! Inteligjencë dhe forcë, çka i jepnin tjetër fytyrë skuadrës. Minga dhe Kola, me një stature fizike e gjatësi të admirueshme, pak më “i vogël” Muça. Kola, një i majtë shënues, Minga në qendër shënues dhe Muça organizator, fantazist dhe golashënues.

TRESHJA MITIKE

Cikli i treshes tiranase të “17 Nëntorit” fillon në viteve 80-të, në skuadrën që kanë drejtuar trajnerët Enver Shehu, Shyqyri Rreli kur treshja Kola-Minga-Muça, do të dominonte me lojë e rezultate. Duke ofruar një spektakël të vërtetë, e pandalshme nga kundërshtarët. Po kështu edhe në përfaqësimet ndërkombëtare, që patën fatin të luaj në periudhën ‘80-‘90.

skender gega arben minga

Arben Minga, nga debutimi kuqezi, në sfidën e “Qemal Stafës”, kur trajneri Zyber Konçi do ta aktivizonte në përballjen Shqipëri-Finalndë 2-0, më 3 shtator 1980, deri në 90-të minutat e fundit, po në “Qemal Stafa”, në takimin ShqipëriAngli 0-2, të 8 marsit 1989, kur përfaqësuesen e drejtonte Shyqyri Rreli. Një bilanc, me 28 ndeshje dhe dy gola. Firmën e tij ka një ndër golat më historikë të ekipit përfaqësueses:

Goli i dytë i jashtëzakonshëm i Mingës kundër Belgjikës, një sfidë për eliminatoret e Kampionatit Botëror, e zhvilluar në Tiranë, në dhjetorin e vitit 1984, Shqipëri-Belgjikë 2-0 (Josa, Minga). Një gol fenomenal, për nga ekzekutimi!. Pastaj ato me klubet në veprimtaritë ndërkombëtare, janë të një rëndësie unikale: Kupa e Kampioneve, turi i parë, ndeshja e kthimit, Belfast, Linfild-17 Nëntori 2-1, (1-0 takimi I Tiranës (Kola), dhe goli i Mingës, i realizuar në pjesën e parë, do t’i japë kualifikimin e madh, i pari historik në këtë trofe kontinental për një klub shqiptar.

I bujshëm, pa një tjetër analog, kualifikimi në Rumani ndaj Dinamos së Bukureshtit, në Kupën e Kupave, turi i parë, sezoni 1986-87, kur Minga do të realizonte në Bukuresht në minutën e 2- të të lojës. Një rezultat final 2-1 për tiranasit (Josa goli i dytë) që do të kualifikonte ekipin shqiptar. I treti, mbetet i veçantë, pasi është shënuar ndaj një kundërshtari, klubi gjigant: Bajern! Turi i dytë i Kupës së Kampioneve, 3-1 në Mynih, dhe goli i 17 Nëntorit ka për autor Arben Mingës. Pastaj ceremonia e ndarjes zyrtare, me klubin, futbollin, spektatorin.

Një organizim i veçantë, një festë spektakolare në “Qemal Stafa”, me iniciativën e të mirënjohurit, kampionit Mirjan Hakani (i ndarë edhe ky nga jeta), kur Arben Minga bashkë me Agustin Kolën do të largohen përfundimisht nga futbolli. Ka qenë 25 dhjetor 1997, kur përballë në një sfidë simbolike janë vënë SK Tirana e viteve 80- të me një formacion të kombëtares 1980. Një takim i mbyllur 1-1, me Mingën autorin e golit për kryeqytetasit. Një ndeshje ku të dy protagonistët, kanë luajtur nga një pjesë loje me secilën skuadër. Arben Minga është një 38-vjecar.

MARTESA DHE FAMILJA

Pastaj familja. Një tjetër pjesë e mrekullueshme e jetës së tij. Një familje e krijuar me sportistë të një klubi, kur Arben Minga, do të njihet, dashurohet, për t’u martuar më pas me basketbollisten e shquar Nora Goxhi, të 17 Nëntorit, Kombëtares, e diplomuar në financë. Një lidhje e shpejtë, e pasuar me lindjen e djalit të parë, Gridi. Në vitet që vijuan, Minga do të angazhohet me punë, si ajo e shefit të sektorit të sigurimit në aeroportin “Nënë Tereza”.

Deri kur në vitin 2001, bashkë me familjen do të largohet për të jetuar në Kanada. Pikërisht në Uindsor (Kanada), do të lindë edhe djali i dytë, Joni Minga. Pastaj drama e rëndë, e pabesueshme që goditi atë dhe familjen, ajo e ndarjes së tij nga jeta.

Një moment i vështirë, tronditës, trishtues, që tronditi mjedisin sportive shqiptar, kur lajmi se Arben Minga ka ndërruar jetë në Uindsor, një qytet kanadez, përtej oqeanit. Ka qenë 30 janar 2007, mesnatë, kur zemra e Arben Mingës do të ndalte së rrahuri në moshën 47- vjeçare. Ndërsa vitet kalojnë, kujtimi, respekti, konsiderata, vlerësimet për Arben Mingën do të jenë të njëjta. Një kolos në fushë, në jetë dhe në familje ka qenë dhe do të mbetet. Për të afërm, miqtë, admiruesit, historinë e sportit, futbollit tonë, të klubit 17 Nëntori dhe fanellës së Kombëtares. Një numër “10” i paharruar!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"