Nga futbolli në volejboll, rrëfehet Gaxiri: Synoj Kombëtaren, gati t’i sfidoj të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2017 | 18:57

Nga futbolli në volejboll, rrëfehet Gaxiri: Synoj Kombëtaren, gati t’i sfidoj të gjithë

Volejbollisti i Tiranës, Armando Gaxiri, me mbi 10 vite karrierë mbi shpinë në sportin e volejbollit, e ka ushtruar atë që në moshë të vogël, ndërsa si profesionist kur mbushi 14 vjeç. Te Flamurtari do të qëndronte 4 vite (2007- ’11), për të kaluar më pas te Studenti, ku paralelisht me studimet e larta, nuk e la sportin.

Gaxiri

Aty u spikat nga trajneri Ylli Tomori për aftësitë e tij të mira si volejbollist dhe veçoritë si profesionist. Tekniku e bëri pjesë të ekipit të tij për dy sezone (2011-’12 dhe 2012-’13). Më pas ai ndërpret aktivitetin sportiv, duke iu përkushtuar studimeve për tri vite në profesionin e fizioterapistit.

Tashmë e rinis sërish, por këtë radhë si pjesë e Tiranës (sezonin e fundit 2016-’17 dhe aktualisht). Ndryshe nga sa e mendonte në hapat e parë të karrierës së tij si volejbollist, tashmë është një sportist i shkëlqyer.

Gjatë intervistës për “Panorama Sport” ai veçon momentet më të bukura në karrierë, duke vlerësuar ato të vitit 2011, kur u grumbullua me ekipin kombëtar U-18, ndërsa në kujtesën e tij mbetet edhe ndeshja e luajtur në Kluzh të Rumanisë me Studentin.

Si ju lindi dëshira për t’u bërë volejbollist? Pse zgjodhët këtë fushë?

Në moshën 10-vjeçare e nisa me futbollin, por për shkak të një sëmundje e ndërpreva për një vit. Më pas nisa volejbollin, falë miqësisë së babait me trajnerin e Flamurtarit, Ylli Lulashi, fillimisht për argëtim, pa e menduar se do bëhesha një volejbollist profesionist.

Armando Gaxiri

Një arsye që ju nxiti të bëheshit një volejbollist i shkëlqyer?

Shtysa në jetën time të volejbollit, janë forca e besimit dhe vullneti.

Jeni i kënaqur me karrierën e deritanishme?

Sigurisht që jam shumë i kënaqur. Kjo lojë më pëlqen dhe më ka bërë të ndihem shumë mirë. Shtysa kanë qenë pasioni, vullneti dhe përkushtimi.

Çfarë rëndësie ka ky sport për ju dhe sa vend gjen te ju?

Është i rëndësishëm, sepse të mban trupin në formë, zë një pjesë të jetës sime.

A ju ndihmon për të mbajtur trupin në formë?

Sigurisht. Të gjithë sportet i shërbejnë trupit për të qenë në formë, por volejbolli është më se i veçantë.

A keni menduar të aktivizoheni jashtë vendit?

Për momentin jo. Qëllimi është të bëhem pjesë e kombëtares dhe të tregoj vlerat e mia te skuadra e Tiranës. Dua të jem në pozicionin që ka Klodian Ferati.

Cilat janë pozicionet më të mira që ju jepni maksimumin?

Luaj shumë mirë në pozicionet 4 dhe 6.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"