Nga faza përgatitore tek objektivat, Magani: Pres emra me peshë te Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 14:13

Nga faza përgatitore tek objektivat, Magani: Pres emra me peshë te Egnatia

Rrogozhinasit po stërviten në qytetin e Ohrit që nga dita e hënë. Nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani, skuadra po merr ngarkesa të përgjithshme. Për “Panorama Sport”, trajneri Gugash Magani thekson se pritshmëritë mbeten të mëdha deri në fund të përgatitjeve.

gugash magani

PËRGATITJET – “Jemi duke vijuar normalisht përgatitjet e verës. Ashtu siç dihet, çdo seancë gjatë fazës kërkon përkushtim maksimal nga çdokush. Pas dy javëve në fushën stërvitore të stadiumit të ri, tashmë kemi ndryshuar ambient pune. Gjatë seancave të para kishim pak problem ambientimin, por tashmë është më ndryshe gjithçka. Së bashku me stafin jemi munduar të japim më të mirën në udhëzimet kundrejt grupit në tërësi. Rëndësi më të madhe ka marrë ana fizike, meqë ka qenë periudhë pushimesh e ka të tjera pritshmëri. Forma ka ardhur në rritje e veç grupit ekzistues kemi përshtatur ritmin me përforcimet e kryera. Vijueshmëria është e mirë dhe na bën optimistë për të ardhmen me të tjera synime”.

MIQËSORET – “Edhe dy miqësoret me Tiranën e Lushnjën dhanë shenjat e ndryshimit. Me kryeqytetasit kaluam dy herë në avantazh, që ishte shenjë e mirë, por neglizhuam duke pësuar dy gola më pas. Por të gjitha detajet ua kam vendosur reparteve me radhë në dijeni për ato momente jo të mira. Gjithçka është arkivuar dhe me Lushnjën ishim tjetër skuadër, fituam vetëm me një gol, por bindëm”.

OBJEKTIVAT – “Pritshmëritë mbeten të mëdha pasi është investuar e janë bërë përforcime me vlerë. Egnatia është ngjitur në Superiore dhe po punon me qetësi. Pres që edhe në pjesën e mbetur të fazës, grupi të shprehë më të mirën. Afrimet e merkatos po përshtaten gradualisht në çdo rast e ky mbetet detaj kryesor. Në plan janë edhe miqësore të tjera për konsolidimin tërësor. Puna do të jetë e pandalshme deri në nisjen e sezonit të ri. Tifozëria duhet të jetë me besim të plotë se skuadra do t’i bëjë krenarë kurdoherë, tashmë në tjetër kategori”.

AFRIMET – “Merkatoja nuk është mbyllur e pres emra me peshë që kanë ardhur e do të jenë deri në fund surpriza në ‘paketë’”, përfundoi Magani për gazetën.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"