Nga Estonia në Krujë, Basha: Ndalohen gabimet, Dinamos i tregojmë kush është Kastrioti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 18:18

Nga Estonia në Krujë, Basha: Ndalohen gabimet, Dinamos i tregojmë kush është Kastrioti

Pas aventurës në Estoni te JK Narva, Arbër Basha vendosi që të rikthehej në Shqipëri. Mesfushori, i cili është grumbulluar katër herë edhe me Kombëtaren Shpresa, mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur duke ardhur te Kastrioti.

arber basha

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari flet për ecurinë e ekipit, objektivat dhe rivalitetin.

“Erdha në Shqipëri, pasi kisha nevojë që të rritesha më shumë dhe njihesha më tepër nga tifozët shqiptarë. Zgjodha pikërisht Kastriotin, pasi është një ekip që i mbështet shumë të rinjtë. E kemi nisur kampionatin jo sipas pritshmërive, por kemi ardhur në rritje si skuadër. Kemi shpërdoruar shumë raste para portës, por besoj që me kalimin e ndeshjeve po përmirësohemi te kjo pjesë. E rëndësishme është që kemi rrjedhshmëri dhe u afrohemi portave kundërshtare, pasi kjo dëshmon se loja e mirë nuk po na mungon.

Fitorja e fundit me Burrelin dëshmoi edhe një herë forcën tonë. Tashmë, duhet të shohim vetëm përpara. Na pret një sfidë e vështirë ndaj Dinamos dhe ne do të shkojmë për 3 pikë. E lehtë nuk do të jetë, por hapat falsë vazhdojnë të jenë të ndaluar te ne. Rivaliteti po shtohet, pasi duke parë ato javët e para jo fort të mira tonat, edhe rivalët morën lehtë. Mirëpo, ne jemi rikthyer dhe duhet të vazhdojmë t’i marrim ndeshjet një e nga një. Do t’u tregojmë kush është Kastrioti”, përfundoi Arbër Basha.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"