Nervat në fushë të ndaluara, Apolonia paralajmëron masa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 22:04

Nervat në fushë të ndaluara, Apolonia paralajmëron masa

Miqësorja mes Apolonisë dhe Tomorit pati përplasje verbale dhe fizike në fushë. Një ndërhyrje e Arturit (të fierakëve) ndaj Nakos (së beratasve) solli tension kolektiv dhe përfundoi në goditje mes Mihanës dhe Cankës. Stafi teknik është i prerë kundrejt shfaqjeve të tilla, ndaj edhe trajneri Xhovani Kolela ka marrë masa të menjëhershme, duke i zëvendësuar dy futbollistët e tij.

apolonia

“Janë ndeshje miqësore dhe tensionet janë të panevojshme e të pajustifikueshme nga ana e lojtarëve tanë. Apolonia është një skuadër ‘Fair Play’ dhe futbollistët tanë duhet të jenë të qetë, për të mos rënë pré e provokimeve nga kundërshtarët si në miqësore dhe ca më shumë në ndeshje zyrtare”, shprehen përfaqësues të klubit për gazetën.

Dhe, në fakt, skuadra fierake është karakterizuar nga sjellje korrekte në fushë, ndaj dhe drejtuesit kanë dhënë një paralajmërim të fortë për grupin. Nëse sjellje të tilla do të përsëriten gjatë ndeshjeve zyrtare, nuk do të tolerohen. Nuk do të mungojnë masat disiplinore, pasi gjaknxehtësia e lojtarëve në fushë mund të sjellë penalizimin e skuadrës në rezultat.

apolonia kastrioti (1)

RIKUPERIMET – Ditë pas dite, organika e Apolonisë vjen duke u plotësuar dhe stafi teknik ka më shumë lojtarë në dispozicion. Kështu, Smaçi, Zaimaj, Çako dhe Andoni i kanë lënë pas dëmtimet dhe janë bashkuar me grupin, ndërsa i vetmi që mbetet jashtë skuadrës, është sulmuesi Jeton Krasniqi, i cili vazhdon ta ketë këmbën në allçi dhe mund të qëndrojë edhe pak kohë në një gjendje të tillë.

SOTA – Eljon Sota mendon se Apolonia është rritur në lojën e saj, duke e dëshmuar në miqësoret e zhvilluara. Teksa flet për “Panorama Sport”, kapiteni shprehet se skuadra është forcuar dhe frytet do t’i ndiejnë në nisje të sezonit.

sota-750x430

“Miqësoret e shumta që kemi zhvilluar, e kanë rritur dhe forcuar skuadrën tonë në çdo aspekt. Në takime të tilla, nuk i kemi mëshuar rezultatit, por përmirësimit të vazhdueshëm të lojës sonë. Skuadra ka nevojë për pak rafiniturë dhe shkon drejt konsolidimit të plotë”, thotë mbrojtësi. I pyetur për shtyrjen e kampionatit, fieraku në mbyllje thotë:

“Shpresojmë të nisim sa më shpejt, pasi të lodhin situata të tilla të tejzgjatura, duke pasur parasysh edhe ndërprerjen dhe mënyrën si u zhvillua kampionati i kaluar. Urojmë dhe besojmë që të gjendet sa më shpejt gjuha e përbashkët mes faktorëve dhe kampionati të fillojë të luhet. Skuadra jonë është gati në çdo moment”.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"