Në Shqipëri për librin e tij, Veliaj pret legjendën e futbollit francez Lilian Turam: Njerëzit paragjykojnë, por shpresoj që “Mendimi i bardhë” të ndryshojë mendësinë e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 20:50

Në Shqipëri për librin e tij, Veliaj pret legjendën e futbollit francez Lilian Turam: Njerëzit paragjykojnë, por shpresoj që “Mendimi i bardhë” të ndryshojë mendësinë e tyre

Legjenda e Kombëtares franceze, Lilian Turam ndodhet në Shqipëri për promovimin e librit të tij të përkthyer tashmë në shqip, “Mendimi i Bardhë”.

Veliaj Turam

Thuram, u prit nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mësohet se diskutoi për nisma të reja sportive si dhe promovimin e luftës kundër racizmit.

“Jam në Tiranë për të prezantuar librin tim, i cili është përkthyer në shqip, dhe shpresoj se do të ndryshojë mendësinë e njerëzve. Ndonjëherë njerëzit kanë paragjykime dhe nuk e kuptojnë se nga vijnë. Por, unë besoj se është gjithmonë e nevojshme ta njohim historinë, në mënyrë që të ecim përpara”, tha Lilian Thuram.

Edhe kryebashkiaku Veliaj, vlerësoi nismat e Thuram, veçanërisht në një moment kur në Europë po diskutohet gjithnjë e më shumë për rritjen e frymës së ksenofobisë.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në Tiranë një kampion, një legjendë të vërtetë, si Lilian Thuram. Libri i tij, “Mendimi i bardhë”, është vërtet një nga dhuratat më të bukura që na vjen, në kontribut me Ambasadën Franceze. Mezi pres që të inkurajosh djemtë dhe vajzat tona, për të kuptuar që sporti është patjetër i dobishëm për një shëndet dhe për një fizik të shëndoshë, po është mbi të gjitha për mentalitetin fitues dhe për një lojë në skuadër, për të cilën kemi shumë nevojë sot.

Të falenderoj shumë, sidomos në kontekstin ku në Europë po diskutohet shumë dhe ka një frymë të ksenofobisë dhe të racizmit. Madje, edhe në Shqipëri ka pasur një debat për pritjen e emigrantëve, kur ne vetë kemi qenë një komb emigrant. Nuk mund të kishte një moment më të mirë për këto mesazhe fantastike”, theksoi Veliaj.

Lilian Thuram është një legjendë e futbollit me karrierë të pasur dhe me ndikim edhe jashtë fushe. Ai ka fituar Kupën e Botës me kombëtaren franceze në vitin 1998 dhe ka luajtur një rol kyç në suksesin e tyre. Pas përfundimit të karrierës së tij futbollistike, Thuram është angazhuar në aktivitete bamirësie dhe ka ngritur zërin e tij për drejtësi dhe barazi shoqërore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"