“Në Kosovë ka xhelozi për futbollistët shqiptarë”, rrëfehet Mezani: Ja e vërteta e çështjes “Greca”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 23:45

“Në Kosovë ka xhelozi për futbollistët shqiptarë”, rrëfehet Mezani: Ja e vërteta e çështjes “Greca”

Gentjan Mezani e shikon të vështirë mbijetesën e Flamurtarit në Superiore, por jo të pamundur. Ish-trajneri vlonjat mendon se me federimin e brazilianëve në ekip do të shtohet konkurrenca dhe kjo gjë u bën mirë lojtarëve të rinj. 

mezani

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mezani flet përpara ndeshjes me Laçin, si një ish-trajner i të dyja skuadrave. Ai pohon se do të jetë një ndeshje e bukur, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren. Laçin e shikon më me kualitete se ai i kohës së tij.

Mezani ndien keqardhje për xhelozinë që ekziston në Kosovë për të dhe ekipin që ka ndërtuar, ndërsa flet edhe për përplasjen me futbollistin Bedri Greca. Flamurtari arriti fitoren e parë në Gjirokastër për këtë sezon pas 9 muajsh. Mbani mend të ketë ndodhur kjo situatë ndonjëherë?

Më erdhi shumë mirë që Flamurtari mori fitore në Gjirokastër, sepse e kam ndjekur në disa ndeshje. Flamurtari luan shumë mirë, thjesht i ka munguar pak edhe fati.

U bë sforco për të federuar katër lojtarë brazilianë. E shikoni të tepërt, duke fryrë financat dhe “djegur” talentet vlonjate?

Nuk mund të them një gjë të tillë, sepse nuk e di situatën aty në këto momente. Por, në qoftë se drejtuesit kanë vendosur që të bëjnë këto afrime, do të thotë se besojnë akoma dhe kjo është gjë e mirë. Nuk besoj se do të digjet asnjë vlonjat, por ata djem duhet të punojnë shumë sepse konkurrenca vetëm sa do t’i rrisë më shumë ata.

Sa i ka shanset ekipi të qëndrojë në Superiore?

E vështirë është, por jo e pamundur. Gjithsesi, është shumë mirë që nuk janë dorëzuar sepse kjo i bën mirë edhe kampionatit.

Mendoni se duhet të përgatisin një strategji për të ardhmen si klub?

Unë besoj se klubi e ka menduar pa diskutim një strategji për të ardhmen.

Të shtunën luhet me Laçin, si e shikoni ndeshjen dhe për cilën do të bëni tifo meqë keni qenë trajner i të dyja ekipeve?

Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur kjo, sepse Flamurtari vjen me moralin lart, por edhe Laçi do të kërkojë fitoren për të arritur objektivin e vendosur prej presidentit. Gjithashtu, Flamurtari nga ana tjetër do të kërkojë maksimumin.

Sa ka ndryshuar Laçi i sivjetshëm me atë që keni drejtuar ju? 

Laçi i tanishëm nga ai që drejtoja unë ka ndryshime të dukshme. Skuadra aktuale ka shumë kualitete, ndërsa ekipi që drejtoja unë ishte i përbërë prej djemve të rinj dhe ne u rritëm së bashku gjatë sezonit.

Po për Luftëtarin keni keqardhje dhe pse mendoni është në këtë situatë? 

Më vjen keq për tifozët e Luftëtarit, sepse nuk e meritojnë. Shpresoj që në të ardhmen të ndryshojë për mirë situata aty.

Cilin nga ekipet shikoni për titull këtë sezon? 

Këtë vit do jetë një titull në frymën e fundit, mendoj. Do jenë disa skuadra, jo vetëm dy në luftë.

Me Gjilanin si po ecni, jeni brenda parashikimeve?

Deri tani me Gjilanin jemi brenda objektivave.

E keni mbushur Gjilanin me lojtarë të Kategorisë Superiore, jeni në presion dhe a ka xhelozi?

Po e vërtetë që kanë ardhur shumë lojtarë nga Superiorja. Presioni është pjesë e punës, ndërsa xhelozia është prezente dhe e dukshme, kështu që për këtë më vjen keq.

 Çfarë ndodhi me Grecën, pasi patët një përplasje. A mund të na e shpjegoni? 

Greca është një djalë i mirë dhe sportist i mirë. Gjithçka që u bë ishte në të mirë të tij dhe besoj se ai e ka kuptuar tashmë. I uroj suksese me skuadrën e Laçit.

Ermal Sika -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"