“Në Korçë, për kualifikimin që 90-minutëshin e parë”, Albano Aleksi: Jam i sigurt që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 22:00

“Në Korçë, për kualifikimin që 90-minutëshin e parë”, Albano Aleksi: Jam i sigurt që…

Katër humbje radhazi e kanë distancuar në plot 19 pikë Teutën nga kreu i klasifikimit, që është objektivi i durrsakëve në këtë sezon.

albano aleksi

Gjithsesi, Albano Aleksi nuk dorëzohet dhe ka besim se skuadra e tij do të rikthehet në rrugën e duhur duke filluar që nga sfida e kësaj të enjte ndaj Skënderbeut në Korçë. Mesfushori i durrsakëve në një intervistë për “Panorama Sport”, përpara kësaj ndeshjeje theksoi se te futbollistët është krijuar një ngërç për shkak të humbjeve radhazi që do të zgjidhet shumë shpejt.

Albano, çfarë po ndodh me skuadrën?  Nuk fitoni prej 5 javësh…

Nuk e shoh të rënduar psikologjikisht ekipin. Normal që rezultatet të vendosin përpara përgjegjësie, por çunat e kuptojnë dhe kanë një dëshirë për çdo ditë e më tepër në stërvitje.

Ekipi punon edhe me më shumë dëshirë, pasi e shohim që kemi luajtur më mirë se çdo skuadër, pavarësisht rezultateve që nuk i kemi pasur të mira. Së bashku me mu, kemi besim të gjithë bashkë që do ia dalim dhe do rikthejmë rezultatet pozitive te Teuta.

Si e shikoni ndeshjen ndaj Skënderbeut?

Ne do të shkojmë në Korçë për të fituar dhe të sigurojmë kualifikimin që këtë ndeshje dhe besoj që do t’ia dalim mbanë dhe pse llogaritë do të bëhen në përfundim, pas ndeshjes së kësaj të enjteje dhe asaj të kthimit.

Në letër një kundërshtar si Skënderbeu, duket plotësisht i kalueshëm për Teutën?

Ne nuk nënvlerësojmë askënd. Sigurisht i bëjmë llogaritë me veten tonë, por Skënderbeun e kemi parë 2-3 ndeshjet e fundit për të kuptuar mënyrën se si luan. Kam parë që lojën e tyre e bazojnë në një mbrojtje shumë të fortë dhe besoj se nuk do ta kemi të thjeshtë, sepse kanë treguar në disa ndeshje që nuk është e thjeshtë t’u shënosh gol. Megjithatë, ne do të marrim masat e nevojshme dhe urojmë që të bëjmë mirë.

Keni ndonjë parandjenjë për rezultatin dhe a e mendoni një gol ndaj tyre?

Parandjenjë nuk kam, por jam i sigurt që nëse do japim maksimumin tonë, kam besim se ekipi do arrijë rezultat pozitiv. Normalisht që çdo lojtar do të shënojë gol, por s’ka rëndësi se cili realizon. Rëndësi ka që ekipi të fitojë dhe kjo është më e rëndësishmja për të gjithë djemtë. Se kush shënon gol, është kënaqësi më vete për çdo lojtar.

Cilët mendoni se do të jenë rivalët për titull deri në fund?

Mendoj që është ende herët për të folur për pretendentët, por siç e kemi parë, janë 4-5 ekipe që duken mjaft solide. Mendoj se deri në fund do jetë një lojë e fortë mes gjysmës së parë të ekipeve në klasifikim. Ai që do gabojë më pak dhe do jetë i saktë, do arrijë ta fitojë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"