“Në Kavajë erdha për të shënuar, më gëzojnë pikët”, Canka: Golat më janë bërë zakon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 14:30

“Në Kavajë erdha për të shënuar, më gëzojnë pikët”, Canka: Golat më janë bërë zakon

Besa bindi në start, duke mposhtur 2-1 Turbinën. Në një sfidë të dominuar në të gjitha drejtimet, nuk mund të mungonte goli i “bomberit” Mikel Canka. E megjithatë, lushnjari me modesti thotë se ka bërë detyrën. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi evidenton se në Kavajë ka ardhur vetëm për të shënuar. “Më vjen mirë që ua shpërbleva besimin që kishte e ka stafi, shokët dhe tifozët tek unë. Më shumë sesa goli, më gëzon fakti se ndihmova ekipin dhe këtë do bëj në të gjitha sfidat, do të jap më të mirën time. Erdha te Besa pikërisht për të ndihmuar ekipin të realizojë synimet”, u shpreh fillimisht 34-vjeçari.

mikel canka

KOLAUDIMI

Duke u kthyer te ndeshja, Canka mendon se gjithmonë sfidat e para janë të vështira. Shto këtu nevojën që ka grupi ende për kolaudim. “Nga përvoja e gjatë që kam në futboll, ndeshjet e para gjithmonë të befasojnë. Herë për mirë e herë për keq. Shembujt i kemi te Besëlidhja, Tomori apo Lushnja, të cilat humbën. Por, kjo nuk do të thotë se janë ekipe të dobëta. Pa zbehur aspak meritat e fituesve. Janë problem kolaudimet, emocionet e ndeshjeve të para. Në javët që vijnë do bindeni për këtë që po ju them. Për fatin tonë, gjithçka shkoi mirë veçanërisht në pjesën e dytë.

Jo se në 45 minutat e para nuk dominuam, por në të dytën shënuam nga ‘tuneli’ e kjo na e bëri më të lehtë fitoren. Mund ta kishim ‘vrarë’ ndeshjen me Tafilin, por fati jo gjithmonë është me ty. Për asnjë moment nuk e diskutuam fitoren. Për mua ka rëndësi që e nisëm mbarë sezonin dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, theksoi sulmuesi.

FUSHA

Lushnjari nuk ngurron të flasë edhe për “ngërçin” më të madh që ka Besa: fusha e Luzit. Ai evidenton se terreni i pengon lojtarët të japin më të mirën e tyre, gjë që u shfaq në disa momente edhe ndaj cërrikasve. “Te Besa ka shumë futbollistë që luajnë me topin që nga Muçaj, Tafili, Zeqiri, Hyseni, Hoxha e të tjerë dhe kjo kërkon një terren optimal. Më duhet ta them që në fillim se fusha e Luzit me parametrat që ka na penalizon në qarkullimin e saktë e të shpejtë të topit.

Këtë e ndiem që në ndeshjen e parë ndaj Turbinës. Nëse nuk shënuam më shumë se dy gola, kjo edhe për shkak të terrenit. Mendoj se fusha favorizon kundërshtarët që mblidhen të rreshtuar prapa nga presioni ynë. Duhet të ndërhyhet sa më shpejt, pasi mendoni kur të vijnë shirat”, përfundoi Canka.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"