“Ne kavajasit jemi kapitenë të butë”, flet Çelhaka: Besa gati të mposhtë edhe Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 18:25

“Ne kavajasit jemi kapitenë të butë”, flet Çelhaka: Besa gati të mposhtë edhe Lushnjën

Besa arriti fitoren e parë kundër Elbasanit, falë dopietës së Alket Çelhakës. Duket se “grada” e kapitenit ka ndikuar për mirë te kavajasi. Por duket se trepikëshi i marrë nuk i ka shmangur kritikat dhe pakënaqësitë.

besa1

Ashtu si presidenti dhe trajneri, edhe 25-vjeçari shprehet i shqetësuar për rastet e shpërdoruara. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se skuadra duhet të shënonte të paktën 5 gola kundër verdhebluve dhe pret që i njëjti gabim të mos përsëritet ndaj Besës, që e cilëson një duel “big”-ësh.

Shiriti i kapitenit ju ka sjellë fat, shënuat 2 gola dhe i dhatë 3 pikët e para Besës…

Shiriti është nder, por edhe përgjegjësi e shumëfishtë. E megjithatë, ne kavajasit jemi kapitenë të butë. Nuk e njohim unin apo t’i biem gjoksit (qesh), gjithçka duam e zgjidhim si shokë. Me këtë dua të saktësoj se kur i gjithë grupi çmon e vlerëson detyrat, rezultati vjen më lehtë. Sa për golat e mi, nuk janë as të parët, as të fundit. Diferenca mes senatorëve të një ekipi dhe të rinjve bëhet pikërisht në momentet këtu.

Ama, drejtuesit dhe trajneri u panë tejet të tensionuar pas ndeshjes, aq sa Bizhdili braktisi ndeshjen në fund. Çfarë ndodhi?

Pa dashur të veçoj veten, por kur një president investon, kur një trajner përkushtohet me ekipin, është normale që ka edhe kritika. Nuk duhet të bëhen të tilla gabime fatale, siç na ndodhi me Elbasanin. Pa e zmadhuar, ju garantoj se më së paku Besa duhet të kishte shënuar 5 gola. Dominuam totalisht në gjithçka dhe të falësh gola të sigurt, do të thotë të lësh në ankth pa të drejtë drejtuesit e tifozët. Ekipet e tjera po të gjetën ditën, të bëjnë jo 5, por 10 gola. Pastaj ishte Elbasani, se të jetë ndonjë Lushnjë, Pogradec apo Apoloni, nëse i fal, e pëson keq. Futbolli luhet për gola dhe ndodh ndonjëherë të vetëkënaqesh, por kur udhëheq mbi 3-0. Ato gabime ndaj Elbasanit nuk do guxojmë t’i përsërisim më, sepse ndëshkimi do jetë i sigurt.

Cituat Lushnjën që s’të fal në raste të tilla, po këtë fundjavë jeni mysafirë të saj. Si e prisni këtë duel?

Me Lushnjën jemi ndeshur dy herë në miqësore dhe jemi ndarë barazim. E njohim forcën e tyre dhe e respektojmë. Ata vijnë pas një fitoreje me Apoloninë dhe janë më të karikuar se kurrë. Kanë në përbërje lojtarë Superioreje dhe meritojnë vlerësim maksimal.

A do të ndikojë pozitivisht fakti që “Roza Haxhiu” është kthyer në shtëpi për ju?

Është “thikë me dy presa”. Nga njëra anë njohim fushën e Lushnjës, nga ana tjetër do kemi përballë vetë Lushnjën. T’jua them për kuriozitet, se ndaj çdo ekipi tjetër kur luan Besa në “Roza Haxhiu”, tifozët vendës janë me ne. Me këtë rast falënderoj Bashkinë Lushnjë, klubin, por edhe ultrasit lagunarë për këtë nder që na bënë. Në këtë përballje do kemi edhe tifozët tanë, një plus jo i vogël. Takimin me Elbasanin nuk i kishim, sepse siç e dini janë të dënuar. Pres vetëm “Fair Play” në fushë e tribuna.

Do të luajë Besa vetëm për fitore, apo edhe një pikë do mjaftonte?

Do isha i pasinqertë të mohoja se Besa kudo ku luan synon fitoren. Po s’mund të bëj asnjë parashikim rezultati, pasi Lushnja dhe Besa sipas bindjes sime do jenë rivalë të denjë deri në fund për Superioren. Janë dy ekipe që janë të denja për të dhuruar vërtet emocione të mëdha e futboll të bukur e të fortë. Kur përballen dy ekipe të forta, të barabarta, ato që përcaktojnë fatet e takimit mbeten episodet. Prandaj u pajtova me mërzitjen e Bizhdilit e Maganit, sepse me Lushnjën çdo gabim të kushton shtrenjtë. Shpresoj të bëjmë sa më pak gabime, të kemi edhe fatin me vete.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"