Në Champions nga vendi i 3-të/ “Sekretet” e kundërshtarit të Partizanit, ka luajtur 5 herë në grupe
BATE Borisov është skuadra që do të ketë përballë Partizani në raundin e parë të Champions League. Pavarësisht se luan në kompeticionin më të rëndësishëm europian, BATE nuk vjen si kampione e Bjellorusisë në sezonin e shkuar.

Shaktior Soligorsk, që u shpall kampione dhe Energetik-BGU Minsk, që u rendit në vendin e dytë të sezonit të vitit të shkuar, u dënuan për trukime dhe humbën titullin, si dhe morën dënime të rënda edhe për sezonin pasardhës, që po luhet aktualisht.
SEZONI AKTUAL – BATE në këtë sezon nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Në edicionet e fundit 15 herë kampionët kanë pësuar një rënie ekonomike dhe sportive dhe nuk janë në ditët e dikurshme. Aktualisht, skuadra e drejtuar nga trajneri Kiril Alshevsk renditet në vendin e tretë në kampionat, me 16 pikë pas 11 javësh të luajtura. Ata kanë shënuar 16 gola dhe kanë pësuar 12 të tillë, teksa kanë fituar katër ndeshje, kanë humbur tri dhe kanë barazuar po katër. Aktualisht ata janë në një minikrizë, pasi në pesë përballjet e fundit janë mundur tri herë dhe kanë barazuar dy ndeshje. NË
AKTIVITET – Një avantazh për bjelloruset është fakti se ata janë në aktivitet dhe gëzojnë një formë fizike optimale, ndryshe nga Partizani, që sapo e ka mbyllur sezonin dhe ka bërë ndryshim rrënjësor në staf. Gjithashtu, ka afruar e larguar disa lojtarë. Ndeshja e parë zyrtare e të kuqve për sezonin e ri, do të jetë pikërisht ajo ndaj skuadrës bjelloruse, çka mund të konsiderohet edhe prova gjenerale e trajnerit Zoran Zekiç.
ASNJËRA NË SHTËPI – Një nga favoret e Partizanit ndaj këtij kundërshtari është fakti se ndeshja e kthimit nuk do të luhet në Bjellorusi. Politika e këtij vendi ka mbajtur një qëndrim të hapur pro-rus për sa i përket luftës në Ukrainë dhe UEFA ka vendosur të sanksionojë klubet e këtij vendi. Kështu, BATE Borisov do të duhet të luajë në kthim ndaj Partizanit në një shtet tjetër dhe pa tifozë në stadium, pra me dyer të mbyllura.
Nga ana tjetër, as Partizani nuk do të luajë në shtëpi. “Arena e Demave” nuk është licencuar për Europën dhe deri më tani është raportuar “Elbasan Arena” si stadiumi pritës i ndeshjes së planifikuar të luhet më 11 ose 12 korrik. Ndërkohë, mbetet për t’u përcaktuar stadiumi pritës i ndeshjes së kthimit, që do të luhet më 18 ose 19 korrik.
HISTORIA – BATE Borisov është klubi më i suksesshëm i Bjellorusisë në periudhën 2000-2020. Rekordin absolut e ka në periudhën 2006-2018, kur ka arritur të shpallet plot 13 herë radhazi kampion, çka tregon shumë mbi dominimin absolut të futbollit bjellorus në dy dekadat e fundit. Ata janë shpallur gjithashtu kampionë në vitet 1999 dhe 2002. Trofeu i fundit i siguruar nga BATE daton në sezonin 2021-2022, kur fitoi Superkupën e Bjellorusisë.
Një sezon më parë qe shpallur fitues i Kupës. Përveç dominimit në arenën vendëse, BATE ka rezultuar një skuadër shumë e suksesshme edhe në kompeticionet europiane. Kjo skuadër ka arritur të kualifikohet plot pesë herë në grupet e Champions League (2008- 2009, 2011-2012, 2012-2013, 2014-2015, 2015-2016).
Ky është një tregues i vërtetë i eksperiencës së madhe që ka ky klub në të tilla kompeticione. Paraqitja e fundit e BATE-s në Champions Legaue daton në sezonin 2019-2020, kur shkonte deri në raundin e dytë. Duhet thënë se në sezonet e fundit nuk po kalon periudhën më të mirë. Tashmë nuk dominon dhe në tri paraqitjet e fundit në Europë, nuk ka mundur të kalojë asnjë tur.

ME SKENDERBEUN – Kjo do të jetë hera e dytë që BATE Borisov do të vijë në Shqipëri. Në sezonin 2014-2015, në një nga vitet e arta të saj, skuadra bjelloruse zbarkonte në Korçë për të sfiduar Skënderbeun në raundin e dytë të Champions League. Ndeshja e parë e luajtur në “Borisov Arena” mbyllej me shifrat e bardha 0-0.
Në kthim në Korçë sfida mbyllej me shifrat 1-1 dhe bjellorusët kalonin vetëm për shkak të golit në fushë kundërshtare, rregull që nuk ekziston më. Khagush shënonte për bjellorusët në të 29-ën dhe Radash barazonte për Skënderbeun në të 67-ën. Në atë sezon, BATE kualifikohej në grupet e Champions League.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL













