Ndryshime në listën e ekipit Shpresa. Shpendi dhe Shabani me probleme fizike, trajneri Bushi fton dy të rinj për Malin e Zi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2023 | 15:28

Ndryshime në listën e ekipit Shpresa. Shpendi dhe Shabani me probleme fizike, trajneri Bushi fton dy të rinj për Malin e Zi

Pas humbjes së thellë, 4-1, në Finlandë, kombëtarja shqiptare U-21 është rikthyer në Shqipëri, dhe menjëherë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Malit të Zi U-21, e programuar për t’u zhvilluar të martën, më 17 tetor, në stadiumin “Arena Egnatia”.

shpresa

Ekipi i drejtuar nga trajneri Alban Bushi është grumbulluar sërish në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Sa i përket gjendjes së ekipit, Kristian Shpendi dhe Enis Shabani kanë shfaqur probleme fizike pas ndeshjes me Finlandën U-21 dhe po mbahen në monitorim nga stafi mjekësor i skuadrës. Për këtë arsye, trajneri ka vendosur të thërrasë Stiven Bibo dhe Eljon Toçi.

Të dy lojtarët kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares U-21. Mesfushori Bibo aktivizohet me skuadrën e Laçit në “Abissnet Superiore”, ndërsa sulmuesi Toçi luan me ekipin e Sestri Levante në Itali. Bibo dhe Toçi janë bashkuar me skuadrën në Durrës dhe janë vënë menjëherë në urdhrat e trajnerit Bushi.

Kombëtarja U-21, deri më tani në kualifikueset e “Euro 2025” ka zhvilluar tre ndeshje në grupin E dhe ndodhet në vendin e dytë me gjashtë pikë, po aq sa Zvicra që kryeson renditjen falë golavarazhit më të mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"