“Ndihem si peshku pa ujë”, rrëfehet Ejoh: Rrethohem nga fushat dhe nuk mund të luaj futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2020 | 20:47

“Ndihem si peshku pa ujë”, rrëfehet Ejoh: Rrethohem nga fushat dhe nuk mund të luaj futboll

Në një situatë të jashtëzakonshme gjithëbotërore, çdo gjë funksionon e kufizuar ose aspak. Futbolli hesht në fushë, por jo në mendjen dhe vëmendjen e faktorëve të tij, pavarësisht jetesës së reduktuar në aq metra katrorë të banesave të tyre. Një rast i veçantë është sulmuesi nigerian i Apolonisë, Efiong Ejoh. Qysh nga ndërprerja e kampionatit, 23-vjeçari jeton i karantinuar në katin e dytë të mjediseve të akademisë fierake, që vetë Ejoh e quan “shtëpia ime”.

Ejoh

Ditët e para në ato mjedise qëndroi edhe Aleksandro Zaimaj, pasi familja e tij jeton në Greqi, por më vonë ai u largua drejt të afërmve në Përmet. Ejoh është i vetëm, me një regjim dhe vetëdisiplinim të rreptë, por familja dhe shokët e skuadrës ia bëjnë më të lehtë gjithçka përmes komunikimit të vazhdueshëm. Ekskluzisht për “Panorama Sport”, Ejoh jep intervistën e mëposhtme:

Ejoh, si po e përjetoni këtë periudhë të tanishme?

Përpiqem të bëj më të mirën për të kaluar këtë situatë. Gjërat shkuan në këtë mënyrë, është një moment i vështirë në të gjithë botën dhe askush nuk ndihet i lumtur. Lutem përditë që Zoti ta mëshirojë dhe shërojë botën.

Si është gjendja juaj shëndetësore?

Falë Zotit, gëzoj shëndet të mirë.

Pse vendosët të qëndronit në Shqipëri në këtë situatë?

Zgjodha të qëndroj këtu, sepse kjo është ‘shtëpia’ ime, kështu e gjykova, duke shpresuar gjithashtu që nuk do të zgjaste shumë dhe kampionati do të rifillonte shpejt.

Ju mungon fusha, ndeshjet, futbolli aktiv?

Po, më mungon shumë gjithçka: futbolli, fusha, ndeshjet, emocionet… Është njësoj si një peshk që nuk jeton dot pa ujë, ashtu edhe unë, nuk mund të jetoj pa futboll. Mendojeni vetë: jetoj në mjediset e akademisë dhe i kam rreth e rrotull të gjitha terrenet sportive: stadiumin, aneksin dhe herë pas here më duket sikur pas pak do të zbresim në fushë për të filluar ndeshjen…

Komunikoni me shokët e ekipit? Me cilin më shumë?

Kam pasur komunikim me të gjithë shokët e ekipit, sepse kemi krijuar grupin tonë në rrjetet sociale. Aty sikur çlodhemi dhe harrojmë pak këtë situatë që po kalojmë, janë biseda dhe momente të këndshme e të vlefshme. Ngaqë unë nuk e di mirë gjuhën shqipe, komunikoj më tepër me Zaimajn, sepse ai di anglisht.

Po me familjen tuaj? Si është gjendja atje?

Flas përditë dhe shpesh me familjen. Ata jetojnë në Nigeri dhe gjer tani janë shumë mirë. Nuk shqetësohen për veten, por për mua që jam larg. Edhe pse jam mirëdhe flas përditë me ta, më mungon familja ime. Të jesh futbollist pak mundësi ke të qëndrosh në shtëpi, familjen e ke larg, por e ndien pranë. E dua shumë familjen time dhe i përqafoj të gjithë nga larg, me shpirt e me zemër. Edhe përpara se të fle, edhe kur zgjohem, i lutem Zotit të jenë mirë gjithmonë.

Si jeni ndierë tek Apolonia gjatë kësaj kohe që jeni aktivizuar?

Si jo më mirë, si në shtëpinë time, sikur kam qenë edhe më parë këtu. Apolonia është një ekip serioz, i organizuar mirë, me objektiva dhe synime të qarta për në Superligë. Nuk erdha kot te ky ekip, por studiova gjithçka me kujdes, u binda, vendosa dhe nuk ndihem i zhgënjyer, pasi skuadra ka bërë një kampionat shumë të mirë, me pretendime konkrete.

Nëse do të rifillojë kampionati, besoni se Apolonia ia del të ngjitet në Superligë?

Po, jam 100 % i sigurt, absolutisht i bindur që po. Besoj, sepse shoh çfarë bëhet këtu, si punohet, si stërvitet, si përgatiten ndeshjet, si luhet… Dhe gjithçka është pozitive, motivuese dhe maksimale. Jemi ekip plot unitet, të bashkuar dhe me një qëllim të përbashkët: Superligën. Apolonia ka gjithçka për të qenë pjesë e kampionatit kryesor në Shqipëri.

Cili është idhulli juaj?

KristianoRonaldo dhe askush tjetër!

Mesazhi që do të donit të përcillnit në këtë situatë të vështirë?

Është një situatë e përkohshme, që do ta kalojmë me ndihmën e Zotit dhe me kujdesin tonë. Ajo që duhet të bëjmë, është bindja ndaj udhëzimeve të dhëna dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të qëndrojmë në shtëpi, të qëndrojmë të sigurt, të mos frikësohemi. Besoj se kjo situatë e vështirë do të përfundojë shpejt. Besoni edhe ju, duhet të besojmë të gjithë.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"