Ndeshja ndaj katalanasve, Nagelsman: Debati sjell zhvillim, të fokusohemi te Barcelona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2022 | 9:13

Ndeshja ndaj katalanasve, Nagelsman: Debati sjell zhvillim, të fokusohemi te Barcelona

Champions-i nuk njeh ndalesë as këtë javë, duke na rezervuar një tjetër përballje titanësh, aty ku Bajerni vazhdon të “ndriçojë” edhe javën e dytë të projektorëve në “Allianz Arena” ndaj Barcelonës. Julian Nagelsman ka hedhur më shumë dritë në konferencën për shtyp përpara sfidës me katalanasit. Strategu i rekordmenëve gjermanë u ndal gjatë e gjerë në lidhje me gjendjen e ekipit, rikthimi i Levandovskit e deri tek analizimi i kundërshtarit:

NAGELSMAN

“Sherri në ndeshjen ndaj Shtutgartit nuk përçon asgjë negative, por vetëm produktivitet, pasi në ekip elementi i përçarjes nuk shfaqet gjëkundi, por mënyra se si mund të arrihet zgjidhja më e saktë, pas tri barazimeve radhazi në Bundesligë, e kanë rrëzuar nga kryesimi”, theksoi Juliani.

Ish-trajneri i Lajpcigut dukej i bindur në vendosjen e ekipit për ndeshjen e sotme, përveç repartin difensiv, aty ku dilemat nuk janë vërtetuar, nuk janë izoluar totalisht:

“Jam i qartë në lidhje me rreshtimin e ekipit në fushë në sfidën me ekipin e Ksavit, por reparti i mbrojtjes më ka lënë ende hije dyshimi. Upamekano është njohës i mirë i Levandovskit dhe kjo gjë mund të na ndihmojë në mbulimin e sulmuesit polak, po ashtu edhe Hernandez do të jetë titullar, pas pushimit në ndeshjen e fundit.

Në lidhje me Zabicerin dhe Joshuan, ata do të luajnë përpara mbrojtjes. Edhe Mane do të jetë në pozitën e fillestarit, pasi përvoja dhe freskia e tij do të jenë bonus i madh në një ndeshje kaq të rëndësishme”. Nagelsman nuk mund të harronte njohjen e vjetër, ish-lojtarin e tij, Robert Levandovski, duke thënë:

“Leva është lojtar shumë i rrezikshëm dhe përvoja e bën të duket akoma edhe më i mirë. Çdo top i ardhur nga krahët në drejtim të Robertit duhet shmangur, përndryshe mund të shkaktojë pasoja në portën tonë”, deklaronte Nagelsman. 35-vjeçari analizoi edhe kundërshtarin, duke e reflektuar forcimin e “blaugranave”:

“Nuk është vetëm Leva, ata kanë shumë lojtarë cilësorë. Shembulli më i qartë janë rezultatet në La Liga dhe Champions. Ksavi ka realizuar punë të shkëlqyer, pres një ndeshje të dyluftuar në çdo repart”, e mbylli tekniku bavarez.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"