Nagelsman mbrohet nga kritikat: Nuk jam përgjegjës për gjithçka te Bajerni i Mynihut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 13:01

Nagelsman mbrohet nga kritikat: Nuk jam përgjegjës për gjithçka te Bajerni i Mynihut

Situata në kampin e Bajernit vazhdon të mos jetë pozitive, edhe pse pushimet pas ndeshjeve të përfaqësueses i kanë ftohur disi kritikat pas 4 ndeshjesh pa fitore në kampionat.

NAGELSMAN 1

Julian Nagelsman ka dalë në deklaratë për shtyp në prag të takimit të sotëm ndaj Leverkusenit, aty ku ekipi i tij do të kërkojë suksesin pas një mungese gati njëmujore.

Strategu i rekordmenëve gjermanë është ndalur në tema të caktuara si shpjegimi i deklaratës së tërheqjes pas ndeshjes me Augsburgun, rreziku i Unionit në cenimin e çështjes titull, kundërshtari, kritikat, ndryshimi i paraqitjeve nga Champions-i në kampionat e deri te kundërpërgjigjja ndaj kritikave të Rajan Babelit.

DEKLARATA PAS AUGSBURG: “Nuk isha në humor të mirë atë ditë, çdokush gabon dhe nuk vepron me një logjikë të ftohtë në momente të caktuara. Reflektimi është gjëja më e mirë dhe unë tashmë e kam realizuar atë proces e jam gati të vazhdoj rrugëtimin me klubin që e dua”, pohoi ndër të tjera 35-vjeçari pas saj deklarate, e cila u nënkuptua si dhënia e dorëheqjes së parakohshme nga ana e Nagelsmanit.

UNIONI KAMPION: “Berlinezët kanë treguar qëndrueshmëri pas 7 javësh, ajo çka neve na ka munguar. Në takimin ndaj nesh, u vërtetua se nuk ndodhen rastësisht në krye të tabelës”.

PËRBALLË LEVERKUSEN: “Pres që klubi të reagojë me guxim, nuk duhet të harrojmë se jemi Bajerni dhe duhet të kuptojmë rëndësinë e peshës që ka kjo fanellë. Ende nuk ndodhemi në pozitën e përshtatshme në tabelë. Leverkuseni ka në gjirin e vet lojtarë cilësorë me një trajner interesant, nuk pres ta kemi të lehtë ndaj tyre”, tha tekniku gjerman.

KRIZA: “E rëndësishme është të reflektojmë dhe të pyesim veten se nga buron kjo ky ngërç. I kam parë të gjitha ndeshjet e fundit që kemi zhvilluar, madje i kam analizuar në detaje, me qëllim gjetjen e arsyes se përse Bajerni vuan në konkretizimin përpara porte. Kam biseduar me ekipin dhe kemi rënë dakord në pika të caktuar ku kemi gabuar. Tashmë është koha ta vërtetojmë në fushë reagimin”, citoi ish-trajneri i Lajpcigut.

KRITIKAT: “Nuk mund të jem përgjegjës për gjithçka. E marr çdo kritikë për bazë dhe e analizoj. Por nuk mund të fajësohem për gjërat, të cilat nuk kanë të bëjnë me mua dhe punën që kryej. Shpesh në media kam parë që emri im të lakohet rreth shumë çështjeve të ndryshme, mund të më akuzoni edhe për humbjen e kombëtares ndaj Hungarisë, por nuk jam”, ironizoi 35-vjeçari ndaj mediave.

DALLIMI CHAMPIONS-it DHE KAMPIONATIT: “Dallimi i Bajernit në këto dy kompeticione është se ne nuk kemi qenë aq efikasë sa duhet përpara portës kundërshtare, ndryshe nga sa kemi bërë në Champions”.

REAGIMI NDAJ BABELIT: “Të gjithë mund të shprehin mendimin e tyre, ashtu si edhe Babel. Kimish e di mirë se çfarë dëshiroj prej tij në fushë, pjesa tjetër nuk më intereson”, përfundoi Juliani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"