“Na intereson barazimi i rivalëve”, trajneri i Pogradecit: Mund të them se jemi në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2021 | 19:03

“Na intereson barazimi i rivalëve”, trajneri i Pogradecit: Mund të them se jemi në…

Pogradecarët nuk kanë pësuar asnjë humbje në kampionat për vitin 2021. Barazimi i fundit me Tomorin nuk e ka pezmatuar trajnerin Ardian Abazaj.

Ardian Abazaj

“Mund të them se jemi në momentin tonë më të mirë. Ekipi po jep më të mirën e mundshme. Nuk merremi me kundërshtarët. Suksesi vjen nga këmbët tona”, u shpreh fillimisht trajneri Abazaj për “Panorama Sport”. Pogradecarët po përgatiten normalisht dhe kanë besim të madh se do të arrijnë të realizojnë objektivin. Liqenorët do të presin të dielën në shtëpi Besën. Në dukje kundërshtari nuk është i vështirë për t’u kaluar, por Abazaj mendon tjetër gjë: “Kujdes! Besa është një kundërshtar shumë i fortë, por kjo nuk do të thotë se e kemi frikë.

Jo vetëm në këtë rast dhe përballë këtij kundërshtari, por me këdo që do të ndeshemi në këto momente, besoj se do të jemi të suksesshëm. Jemi me këmbë në tokë dhe larg euforisë”. Ajo që shqetëson trajnerin pogradecar lidhet me faktin se i mungon Liçkollari, një prej pikave të forta të mesfushës dhe sulmit. Këtë e pranon edhe Abazaj: “E vetmja mungesë është ajo e Liçkollarit, që natyrisht ndihet. Ndërkohë që nuk kemi të skualifikuar dhe të dëmtuar. Mendoj se ekipi funksion mirë në grup dhe suksesi në këtë formë është edhe më i garantuar”. Liqenorët janë në vendin e tretë dhe vetëm një pikë larg vendit të dytë, por a është ky momenti për të marrë vendin e dytë. “Nuk shikoj aspak kundërshtarët. Kjo nuk do të thotë se më intereson shumë se si do të dalin dy ekipet që janë më lart se ne.

Edhe ne duhet të përfitojmë nga pikët që do të lenë ekipet. Për mua është më e mira që të dyja skuadrat të dalin barazim këtë javë dhe më pas është momenti ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka në ndeshjet direkt, ato të vazhdimësisë”, përfundoi Abazaj. Liqenorët kanë dy objektiva, i pari dhe më i afërti, është zënia e vendit të dytë. Pastaj në një shtrirje pak më të gjatë kohore, vendi i parë. Një gjë është e rëndësishme, se liqenorët e tentojnë Superioren dhe duan të konkurrojnë në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"