Mungojnë firmat, mesfusha kthehet në një “gropë” që po bëhet makth te Dinamo
Lista e dëshirave të merkatos së Dinamos ka mbetur ende vetëm një… listë dëshirash. Drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë folur ditët e fundit edhe për akorde me lojtarë të ndryshëm, por fakt është që nuk ka pasur asnjë zyrtarizim deri më tani. Faqja e klubit blu ka mbetur vetëm tek urimet e ditëlindjeve, pasi mungojnë njoftimet zyrtare si për lojtarë të afruar, ashtu edhe për ata që pritet të largohen.

Në fakt, ashtu siç gazeta ka bërë me dije, presidenti Ardian Bardhi dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë marrë punën shtruar, por ajo që nuk pret shumë është merkatoja në hyrje, sepse sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet të gjesh lojtarë me kualitet, sidomos për disa role specifike.
Në klubin blu nuk duan të nxitohen edhe për shkak të precedentit të dy viteve më parë, ku ndërtuan skuadrën nga e para dhe më pas dështuan, duke qëndruar në Superiore vetëm një sezon.
REPARTI PROBLEMATIK- Mesfusha është shumë e rëndësishme për një skuadër futbolli dhe kjo dihet nga të gjithë. Blutë, për më tepër e dinë shumë mirë, sepse kanë vuajtur jo pak në këtë sektor vitet e fundit. Edhe në këtë moment po përpiqen të afrojnë lojtarët e nevojshëm për qendrën, por “gropa” vazhdon të jetë e hapur.
Fillimisht drejtuesit e Dinamos piketuan Bruno Ditën si lojtarin adapt për të qenë lider i mesfushës, për më tepër që ai është një lojtar i dalë nga akademia blu. Do të ishte një goditje e rëndësishme, por Dita preferoi të vazhdonte bashkëpunimin me Shkëndijën e Tetovës, ku ndihej i respektuar. Më pas vështrimi u hodh nga dy lojtarë pa kontratë, Ardit Hila dhe Albano Aleksi.
Madje për këtë të fundit nga drejtuesit u tha se kishte një akord verbal, por fakt është se që të dy këta lojtarë kanë dalë në stërvitje me Tiranën, e cila ka nisur përgatitjet në prag të ndeshjeve në Ligën e Konferencës.
Hila ka rinovuar zyrtarisht dhe të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Aleksi. Problemi mbetet te Dinamo, që në planet e saj ka edhe Fjoart Jonuzin, pjesë e Vllaznisë në dy sezonet e fundit.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me kandidatin e katërt për mesfushën blu, por edhe nëse Jonuzi firmos për Dinamon, sërish kjo çështje nuk zgjidhet përfundimisht. Skuadra kryeqytetase ka nevojë për të paktën dy përforcime në qendrën e mesfushës.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL













