Mundje/ Kampionati i të rinjve, dominojnë Teuta dhe Tirana (TABELAT E PLOTA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2021 | 19:44

Mundje/ Kampionati i të rinjve, dominojnë Teuta dhe Tirana (TABELAT E PLOTA)

Federata Shqiptare e Mundjes vijon aktivitetet sportive në kuadër të kalendarit për vitin 2021. Pas zhvillimit të kampionateve për të fëmijë dhe paratërinj, ditën e shtunë FSHM përmbylli me sukses një tjetër event, teksa në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë u mbajt kampionati kombëtar i të rinjve në stilin e lirë dhe atë greko-roman.

mundje

Një kompeticion ku morën pjesë rreth 80 sportistë që përfaqësuan ekipet e Tiranës, Teutës, Kukësit, Besëlidhjes, Vllaznisë, Burrelit, Jonas Fitness Sport, Tomorrit, Flamurtari, Çika Wrestling, etj. Në ceremoninë e hapjes u nderuan nga Federata Shqiptare e Mundjes me certifikatë mirënjohjeje për kontribut të shquar dhe rezultate të larta në arenën kombëtare, ish-sportistët e Vllaznisë, Kolë Spasari dhe Selaudin Rexhepi.

Gjithashtu, mundësi Bajram Sina u nderua me dekoratë mirënjohje për rezultate të larta ndërkombëtare. Pas dueleve tepër interesante, mundja shqiptare përcaktoi kampionët e vitit për të rinj, gjithashtu edhe ekipet më të mira. Në stilin e lirë, Marin Jaku i Teutës u shpall mundësi më i mirë e eventit. Në rang ekipor ishte Teuta që triumfoi, ndërsa podiumi u plotësua nga Tirana dhe Jonas Fitness Sport.

Për sa i përket stilit greko-roman, sportisti më i mirë u shpall Julian Shehu i Tiranës, me skuadrën kryeqytetase që doli kampione edhe në rang ekipor. Ndërkohë, një vend në podium në këtë stil siguruan edhe Beslidhja e Kukësi.

Nuk munguan as vlerësimet për gjyqtarët, teksa Vasfi Hoxha dhe Artan Mitro u zgjodhën si arbitrat më të mirë, respektivisht në tapetin A dhe B. Me mbylljen e aktiviteve të moshave, tashmë në fokusin e FSHM-së mbetet kampionati kombëtar i të rriturve, i cili pritet të mbahet në muajin shtator.

mundje 1

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"