“Mundësi marketingu dhe treg i ri për lojtarët vendorë”, Lazimi: Liga Unike, një ëndërr për të gjithë basketbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 23:59

“Mundësi marketingu dhe treg i ri për lojtarët vendorë”, Lazimi: Liga Unike, një ëndërr për të gjithë basketbollin

Ndonëse ende nuk ka ardhur leja nga qeveria për zhvillimin e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura, basketbolli po bëhet gati për sezonin 2020-2021, ku thuajse të gjitha ekipet kanë nisur përgatitjet. Goga Basket siç dihet disa javë më parë zyrtarizoi rikthimin në drejtimin e ekipit, trajnerin Melzin Lazimi, i cili shkroi historinë me skuadrën private nga Durrësi duke u shpallur kampion në vitin 2019.

Basketboll-Meshkuj-2019-Goga-Basket-pushim-Melzin-Lazimi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Lazimi fillimisht foli për aventurën e tij te Goga, duke e quajtur një rikthim në shtëpi: “Kemi filluar procesin stërvitor në datën 1 shtator dhe çdo gjë po shkon shumë mirë. Kam gjetur një ambient të ngrohtë, bashkëpunim të shkëlqyer dhe mund të them se jam rikthyer në shtëpinë time”.

Trajneri më pas tregon gjendjen e skuadrës: “Sigurisht duke pasur parasysh një ndërprerje të gjatë dhe të pazakontë skuadra nuk gëzon kondicion të plotë fizik, megjithatë kemi filluar nga puna dhe po ndërtojmë çdo ditë si në planin teknik edhe në atë fizik”. Më tej Lazimi flet edhe për merkaton, ku deklaron se së shpejti klubi do të zyrtarizojë përforcime, ndërsa bën gjithashtu të ditur objektivat e ekipit:

“Në skuadër janë afruar një grup i mirë lojtarësh të rinj, por pa lënë pas edhe lojtarë me eksperiencë që do të udheheqin grupin përgjatë këtij sezoni. Shumë shpejt lëvizjet në merkato do të zyrtarizohen nga klubi. Sigurisht duke qenë në elitën e basketbollit shqiptar ende nën titullin e kampionit dhe si fitues i Kupës, Goga Basket nuk mund të ketë tjetër objektiv përveçse të qenurit në elitën e basketbollit. Është shpejt për të folur për objektiva konkretë, por do të shikojmë gjatë rrugës”.

Në fund, por jo për nga rëndësia, Melzin Lazimi komenton edhe zyrtarizimin e marrëveshjes për Ligën Unike të basketbollit, që i jep jetë kampionatit të përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova: “Është një ëndërr e të gjithë komunitetit të basketbollit prej vitesh dhe së fundmi e bërë realitet.

Është një akt historik, por përtej kësaj do t’i shërbejë shumë basketbollit në të dyja vendet tona. Hap një treg të ri për basketbollistet vendorë, por edhe mundësi më të mëdha marketimi për klubet. Do të shërbejë për rritjen e nivelit të basketbollit dhe sigurisht do të ofrojë emocione të mëdha për të gjithë sportdashësit. Më duhet të falënderoj të gjithë aktorët që e bënë të mundur realizimin e kësaj Lige dhe t’i uroj të gjithë për një sezon të mbarë sportiv”, përfundoi prononcimin e tij tekniku 26-vjeçar i skuadrës Goga Basket, duke theksuar se kampionati i përbashkët mes klubeve të Shqipërisë dhe Kosovë do të sjellë zhvillim në basketboll.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"